#TëPalodhurit/Gjithë këto kohë më mundon një pyetje…

No comments

“Kisha veshur një palë çizme që fusninin ujë nga të katër anët, pastroja një kanal kullues në kooperativë, ndërkohë që binte dhe një shi imët. Shi nga lart e shi nga poshtë, por unë vazhdoja. Isha shumë i ri por e mbaj mend si sot, e kisha të pamundur të vazhdoja, por duhej të kapja normën patjetër ndryshe nuk merrja ditën e punës. Mes vuajtjeve të përditshme herë si pulë i lagur nga shiu e herë si zhabë i zhuritur nga vapa, herë i ngrënë e herë pa ngrënë si me shaka ikën 32 vite aty. Ikën pa kuptuar. Pastaj na erdhi kjo, demokracia, e unë pasi mbusha 60 vjeç dola në pension.

Sot 20 vite pasi kam dalë në pension marr gjithë gjithë 60 mijë lek të vjetra që nuk më dalin as për ato të flamosura ilaçe. Nuk gjej përgjigje pse një jetë e tërë në punë të ndershme vlerësohet kaq pak???
Kë nuk kam pyetur, por skam marrë një përgjigje të saktë. Jo sistemi, jo rigoni por ndërkohë shoh në televizor gjyqtarë, si ky sot, të cilët kanë nga 300 milion lekë në shtëpi, apo politikanë me makina e vila shumë të shtrenjta. Këta shumica ska punuar asnjë ditë në jetën e vet. E kur them punë, ta kam llafin te puna që të të dhembë edhe muskuli i gojës në darkë nga shtrëngimi, jo si puna e këtyre që maksimumi ju dhembin të ndenjurat nga kolltuku. Ashtu, tani unë nuk kam shkollë por kaq llogari di ta bëj, jam i bindur që pasuritë e mëdha këta nuk i kanë as me lekët e rrogës e as me pensionin e prindërve, por i kanë me djersën tonë. Unë nuk e dija atëherë por kur punoja në kanal me cizmet që më fusnin ujë nga të katërta anët, nuk punoja për vete por për këta.
Mos përsërisni gabimet tona o rini!
Zenuni

Advertisements

Leave a Reply