Si të dallosh ligjërimin populist?

No comments

Nga Bledar S. Milaqi

Në epokën e Instagramit dhe Facebook-ut, një fotografi e inskenuar mirë, me një kornizë gjuhësore të thjeshtë dhe provokuese, jo vetëm arrin të kapërcejë vlerën e një 1000 fjalëve, por duke ngjallur emocionet dhe ndjeshmëritë e turmës dixhitale si dhe rritjen e intensitetit të ndërveprimit midis tyre, synon të devijojë në këtë mënyrë axhendën e diskursit publik nga problematikat reale dhe mbulojë dështimet dhe skandalet e klasës politike. Devijimi i këtij diskursi, përfaqëson në vetvete përcaktimin e një axhendë të re.

 

Për shkak të efektivitetit të saj, kjo formë e komunikimit përfaqëson një trend në rritje dhe shfrytëzohet më së miri e në mënyrë sistematike nga lëvizjet populiste apo dhe personalitetet publike me qasje të tillë, të cilët rrjetet e tyre sociale i përdorin si multiplikatorë të përcjelljes së një mesazhi të caktuar. Në përgjithësi, kur një demagogji apo një retorikë e theksuar populiste shfaqet fillimisht në sfond, askush nuk e merr seriozisht, madje mundet dhe të përqeshet. Por sic thotë Kurt Tucholsky: “Mos nënvlerëso asnjëherë fuqinë e budallenjve, që janë të një mendimi”

 

Çfarë e karakterizon ligjërimin populist dhe si mund të dallohet ai?

 

  1. Retorika populiste i mvesh vetvetes abuzivisht monopolin e të folurit në emër të shumicës, të popullit. Pamvarësisht qënies në minorancë, ajo që i bashkon populistët është vetëbesimi se ata mishërojnë zërin e vërtetë, identitetin kombëtar dhe institucionin që bart legjitimitetin moral të përfaqësimit të shumicës. Populizmi bazohet në një koncept romantik të termit popull, i cili konsiderohet pak a shumë si masë homogjene me interesa të njëjta, produkt i vlerave dhe dimensioneve të ngjashme, çka nuk përkon aspak me realitetin e një shoqërie. Ky perceptim konformist është totalitar, nxit përjashtimin e grupeve të tjera dhe aversionin ndaj mendimit kritik. Pamvarësisht daljes nga sistemi totalitar komunist, shoqëria shqiptare nuk ka zhvilluar në asnjë hallkë të saj provomin e mendimit të lirë. Për këtë arsye çdo diskurs publik apo politik rrezikon të marrë nota të theksuara populiste.
  2. Loja me frikën: Populistët paralajmërojnë vazhdimisht për gjëndjen e rrezikut që i kanoset vendit dhe kombit. Ata janë në mënyrë të pandërprerë “vigjilente” ndaj rreziqeve që vijnë nga jashtë, ndonëse janë vetë rreziku më i madh për një shoqëri. Propaganda komuniste mishëronte në vetvete gjëndjen sistematike në alarm nga një sulm i armiqve të brendshëm dhe atyre të jashtëm. Populistët janë paranojakë të pandreqshëm, të cilët duke përfaqësuar “të mirët” persekutohen vazhdimisht nga skenare kërcënimi dhe ndjenja e qënurit viktima të atyre, që sipas tyre nuk janë pjesë e vërtetë e asaj shoqërie apo nuk bëjnë pjesë në formulën e tyre, por mishërojnë të keqen dhe fuqitë e errëta. Në dallim nga shoqëritë anglo-saksione që kanë si bazë të marrëdhënieve frymën e mirëbesimit dhe ato romane, që kanë si bazë frymën e mosbesimit, shoqëria shqiptare e post-tranzicionit ndodhet midis frikës dhe shpresës dhe karakterizohet nga fuqia e paragjykimit. Për këtë arsye loja me frikën e retorikës populiste gjen mjaftueshëm terren konsumi.
  3. Gjuha e thjeshtë deri në banalitet dhe ripërsëritja e saj deri në kakofoni: “Ne kundër atyre”, “Ose me ne, ose me ata”, termi orient versus oksident, apo semantikat lindor versus perëndimor “Evropa kurvë”, etj. Ligjërimi populist dallohet për premtimet e thjeshta dhe fuqinë e paragjykimit apo dhe vlerësimit normativ, duke sugjestionuar dallimin midis “të mirës” dhe “të keqes”. Gjuha është një nga elementet kyçe e të menduarit dhe veprimit tonë dhe përcakton se si ne e perceptojmë mjedisin, njerëzit e tjerë përreth dhe sa lehtë informacioni dhe faktet regjistrohen nga truri ynë. Kornizat gjuhësore populiste janë selektive, ato nuk konsiderojnë aspak faktet, por synojnë të aktivizojnë interpretimin mendor dhe ndjenjat individuale duke nënvizuar realitete të dëshiruara dhe anashkaluar faktet reale. Ligjërimi populist nxit gjithmonë ndjenjat dhe rrallëherë adreson hapat konkretë për zgjidhjen e një problemi. Nese adresohet diçka e tillë, atehërë zgjidhjet e ofruara janë të thjeshta dhe radikale.
  4. Përdorimi i teorive komplotiste dhe fabrikimi i lajmeve të rreme (Fake-News) për të manipuluar masat dhe nxitur një axhendë të caktuar apo ndryshuar rrjedhën e diskursit publik, duke krijuar çorodtje. Një fenomen paralel të ngjashëm përfaqësonin dikur thashethemnajat e kafeneve. Kurse sot me aë të internetit dhe mediave sociale mund të përhapësh me shpejtësi marramendëse pa nevojën e asnjë filtri mediatik lajmin e rradhës dhe fakte alternative, të cilat audienca i konsumon sipas oreksit të saj. Mosbesimi dhe zhgënjimi në rritje ndaj medias se konsoliduar në përgjithësi mundësoi krijimin e të ashtuquajturave platforma alternative të informimit, të cilat përpos shanseve të diversifikimit të mendimit të lirë, bartin në vetvete dhe rrezikun e keqinterpretimit, mungesën e burimeve të besueshme të informacionit dhe transparencës institucionale. Platforma të tilla synojnë në hapësirën shqipfolëse në të shumtën e rasteve rritjen e shikueshmërisë me anë të karremeve klikues (Clickbaiting) dhe nuk përcjellin asnjë përmbajtje konkrete. Ato nënçmojnë vlerën e dijes, faktet shkencore apo dhe ato historike. Lajmet e rreme, janë arma më e fuqishme e ligjërimit populist dhe teknika me efektive e komunikimit të qëllimshëm dhe hapi fillestar për ndërtimin e një teorie komplotiste. Elementi identifikues i tyre është zbukurimi i një lajmi të vërtetë me falsifikime apo keqinterpretime, për të përcjellur idenë se çdo fakt është relativ dhe i interpretueshëm. Teoritë konspirative arrijnë të bëjnë ndarjen midis të “mirëve” dhe të “këqinjve” dhe i ofrojnë turmës në këtë mënyrë përgjigje të thjeshta dhe të menjëhershme, duke identifikuar pa problem “fajtorët”.
  5. Tërheqja e vëmendjes më çdo lloj çmimi dhe inskenimi i vazhdueshëm: Kjo strategji e perfeksionuar deri në mjeshtëri nga klasa politike në pushtet synon instrumentalizimin dhe angazhimin e masës me imazhin, estetikën, fasadën. Fotot e arrira transmetojnë një lloj autenticiteti dhe të lënë përshtypjen se janë shkrepur spontanisht. Ndërkohë, cdo gjë është planifikuar deri në detaj dhe asnjë element nuk i lihet rastësisë. Bisedat e drejtëpërdrejta gju-më-gju me popullin, inskenimi i ndonjë autokriktike “spontane” krijon imazhin e dëshiruar të konsumit për masën. Përmbajtja është në plan të dytë, mesazhi është i thjeshtë: Kreut i shteti interesohet për popullin, është afër njerëzve. Çdo detaj rrotullohet rreth tij, personalizimi dhe jo performanca kanë rëndësi në ligjërimin populist. Tërheqja e vëmendjes ndodh dhe me provokime të mirëkalkuluara, ku gëlimi i ndjenjave të turmës është mëse i sigurtë. Tematikat fetare, nacionaliste apo ato rreth pabarazisë gjinore ofrojnë terrenin më të volitshëm për instrumentalizimin e masave.

Duke qenë se marshimi i ligjërimit apo retorikës populiste është tashmë një fenomen në rritje në të gjithë Evropën, Shqipëria nuk mund të bëjë përjashtim nga ky fenomen shqetësues për demokracinë e një vendi. Në hapësirat shqip-folëse narrativa populiste ka në të shumtën e rasteve konotacion nacionalist. Nacionalizmi si nocion idologjik vështirë të imagjininohet pa ligjërimin populist dhe elementet e sipërpërmendura. Por siç thotë një shprehje e leksikografit britanik Samuel Xhonson: “Nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve”! Kur të dëgjoni ndonjë politikan të ligjërojë për moralin, është koha të ngriheni dhe lini sallën!!!

Leave a Reply