Shqipëria po plaket. Shtohen të moshuarit dhe ikin të rinjtë.

No comments

Shqipëria po humb gjithnjë e më shumë nga dividendi i saj demografik për shkak se popullsia po pakësohet me ritme të shpejta në grupmoshën e artë 0-40 vjeç teksa numri i personave mbi 65 vjeç po rritet me shpejtësi.

Sipas statistikave të fundit të popullsisë 0-40 vjeç pësoi rënie me 2 për qind gjatë një viti. Në janar 2018 në këtë grupmoshë u numëruar rreth 19 mijë persona më pak se më 1 janar 2017.  Një nga shkaqet e rënies në këtë grup moshë është emigracioni i lartë dhe rënia e numrit të lindjeve, rënia më e madhe i takon grup moshës 10-14 vjeç, të cilët ishin 10,500 persona më të pakët në numër se vitin 2017.

Grupmosha e hershme 20-40 vjeç që përbën kulmin e funksionimit fizik është pakësuar me 3777 mijë persona më 2017. Tkurrja e kësaj grupmoshe tregon humbjen e produktivitetit të forcës së punës dhe popullsisë në tërësi, pasi në këtë moshë merret vendimi për martesë dhe vihen bazat e karrierës.

Gjithashtu forca e punës shënoi rënie me 1.1 për qind. Grup mosha 15-65 vjeç u tkurr me 2323 persona gjatë vitit 2017, teksa numri i të moshuarve ka pësuar rritje të mëtejshme.

Popullsia në mbi 65 vjeç u shtua me 11,216 persona më 2017, duke u rritur në mbi 3 për qind brenda vitit. Për pasojë raporti i varësisë së të moshuarve (raporti i personave në moshë 65+ vjeç ndaj popullsisë në moshë pune 15- 64 vjeç) ka pësuar një rritje nga 18,9 % në 19,4 % gjatë së njëjtës periudhë.

Projeksionet e tregojnë se popullsia në moshë pune do të bjerë me një ritëm pak më të shpejtë se sa popullsia e përgjithshme me më shumë sesa 18% në pothuaj të gjitha qarqet, përveç atyre që e shtojnë popullsinë nëpërmjet migrimit (Tirana, Vlora dhe Durrësi).

Tirana është qarku i vetëm në të cilin parashikohet rritje e konsiderueshme në forcën potenciale të punës (me 20% deri në vitin 2031, sipas skenarit normal me shpërndarje gjeografike dhe emigrim konstant brenda vendit). Rënia më e fortë në forcën e mundshme të punës parashikohet për Gjirokastrën (me -43%), si dhe për Beratin dhe Dibrën (me të paktën -30%). Emigrantët janë në masën 90% pjesa më aktive e tregut të punës.

Popullsia e vendit po tkurret me shpejt se projeksionet e popullsisë 2011-2031. Me 1 janar 2018 popullsia ishte 18 mijë persona më pak se projeksioni zyrtar i INSTAT. /monitor.al

plakja-2.png

Advertisements

Leave a Reply