Shqipëria po plaket. Dyfishohen pensionistët, përgjysmohen kontribuesit.

No comments

Plakja e popullsisë në dekadat e fundit ka sjellë zhbalancime në skemën e pensioneve, teksa shihet që në vitin 2016, numri i kontribuuesve në sigurimeve shoqërore ka rënë me 49 për qind, ndërsa numri i pensionisteve është rritur me 90 për qind.

Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT dhe institutit të Sigurimeve Shoqërore në vitin 1990 vendi numëronte një popullsi më shumë se 3.2 milionë banorë, teksa paguanin sigurime më shumë se 1.4 milionë persona. Në vitin 2016 paguan sigurime vetëm 714 mijë persona teksa numri i përgjithshëm i popullsisë ishte mbi 2.8 milionë.

Të dhënat krahasuese tregojnë se teksa numri i përgjithshëm i popullsisë ka rënë me 11 për qind, personat që paguanin sigurime kanë pësuar rënie me 49 për qind.

Por ndryshimin më të madh e ka pësuar popullsia në moshë pensioni. Nga 321 mijë pensioniste që numëroheshin në vitin 1990, në vitin 2016 numri i tyre pothuajse u dyfishua duke arritur në 611 mijë persona.

Në harkun kohor të gjashtë viteve, numri i pensionistëve u rrit me 12,6% ose 68,491 persona.

Në vitin 2010, statistikat zyrtare të ISSH-së raportonin 543,053 pensionistë, ndërsa në fund të vitit 2016, u raportuan 611,544 të tillë.

Sipas të dhënave që i përkasin harkut kohor 2010-2016, ritmet e rritjes së numrit të pensionistëve u zgjeruan pas 2012-s. Në dy vitet e mëparshme, numri i tyre është rritur me pak më shumë se 5 mijë persona, por në vitin 2013, në skemë janë shtuar mbi 16 mijë pensionistë, më 2015 mbi 15 mijë pensionistë. Ritmet janë ulur dy vitet e fundit, për shkak të reformës së re në pensione, që zgjati moshën e daljes në pension me 6 muaj në vit për gratë.

Për pasojë, shpenzimet për arkën e pensioneve janë rritur dukshëm. Në vitin 2010, sipas të dhënave të ISSH-së, shpenzimet për pagesat e pensioneve ishin 63.7 miliardë lekë, ndërsa në fund të vitit 2016, këto pagesa arritën në 90.5 miliardë lekë, me një rritje 42%.

Ndryshimi i strukturës së popullsisë do të sjellë kosto të larta për mbrojtjen sociale, por ende nuk ka një studim për efektet e plakjes të popullsisë dhe sfidat më të cilat po përballet këto persona. MONITOR

zhbalancimi-i-skemes-se-pensioneve.jpg

Advertisements

Leave a Reply