SHPËTONI RININË NGA DROGA!

No comments

 Nga Namir Lapardhaja
Vetëm pak ditë më parë në qytetin e Beratit një i ri u nda nga jeta si pasojë e përdorimit të lëndëve narkotike. Pavarësisht se djali vinte nga një jetë me probleme të theksuara sociale, i braktisur prej prindërve qysh në vegjëlinë e tij, rasti i tij nuk është i vetmi. Në një hark të shkurtër kohor vetëm në Berat janë shënuar disa vdekje si pasojë e përdorimit të drogës dhe këta jo nga familje me probleme, por nga familje normale, që në përditshmërinë e tyre gëzojnë të gjithë respektin e njerëzve. Ndërkohë dje një mjek i urgjencës së Spitalit Rajonal të Beratit më thoshte se janë shtuar rastet e përdorimit të drogës, hashashit, tek të rinjtë, kryesisht adoleshentëve dhe gjimnazistëve. Doktori më konfirmonte se në ditët e fundit gjatë ushtrimit të tij të detyrës, ishin paraqitur raste të reja të të rinjve që e kishin provuar për herë të parë hashashin, pas të cilit kishin pasur probleme dhe çrregullime të shëndetit.
Si për të konfirmuar të gjithë këtë problematikë reale dhe sociale tek të rinjtë sot, do të përmendja edhe atë që u botua pak kohë më parë në median sociale, ku një i ri gjimnazist, gjatë detyrës së tij se cili ishte profesioni që do të kishte dëshirë në jetë, ishte përgjigjur se “puna që mua më pëlqen të bëjë në të ardhmen, është spaciatore (shpërndarës droge)”. Arsyeja?! Po sipas tij, “më pëlqen kjo punë sepse të sjell të ardhura të mira…. Sepse këtu në vendin tonë është i vetmi biznes që mund të plotësojë të gjitha dëshirat në jetë…” Duke mos dashur ta politizojë problemin, sigurisht që problemi i drogës sot në Shqipëri është edhe një problem politik, përderisa një i ri sheh dhe dëgjon sot në televizor se ministri i Brendshëm i vendit të tij së bashku me drejtues të lartë të policisë së shtetit akuzohen si njerëz që kanë mbështetur trafikantët në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, patjetër që si model do të ketë këtë mënyrë “të lehtë”, “të shpejtë” dhe “të sigurt” të pasurimit, meqenëse në këtë vend janë të gjitha kushtet dhe mundësitë për një gjë të tillë.
Dhe të rinjtë si qenie sociale në formim e sipër sigurisht që janë grupi më i ndikuar dhe më i afektuar nga e gjithë ajo që shohin dhe dëgjojnë në përditshmërinë e tyre. Por, përtej problemit politik, kjo është edhe një gjëmë e madhe sociale që po i ndodh sot Shqipërisë, që duhet të na shqetësojë të gjithëve. Mjafton të kesh sot lidhje me të rinjtë dhe e kupton se një ndër problemet dhe shqetësimet e tyre më të mëdha është pikërisht përdorimi i lëndëve narkotike, prej më të lehtave, hashashit, e deri tek më të rëndat, kokaina etj., disa prej të cilave lënë pasoja të parikuperueshme tek sistemi nervor dhe trupor i përdoruesit ose të tjera që çojnë drejt vdekjes së pakthyeshme. Ky është një problem jo i thjeshtë për t’u menaxhuar, aq më shumë për t’u zgjidhur. Pikë së pari, duhet të jemi të vetëdijshëm dhe të pranojmë ekzistencën e problematikës. Kush e mohon ose mundohet të reduktojë rrezikun dhe masivitetin e fenomenit vetëm se gabon shumë rëndë, gabim i cili mund të ketë efekte negative të paimagjinueshme në të ardhmen. Problematikës i shtohet një element shumë i rëndësishëm, familja.
Familja shqiptare sot është duke kaluar një krizë të madhe sociale, morale dhe ekonomike. Të gjitha këto reflektojnë tek fëmijët dhe tek të rinjtë. Prindër të divorcuar, me probleme ekonomike, të pashkolluar, të papunë ose me punë gjatë gjithë kohës, dhe probleme nga më të ndryshmet, bëjnë që fëmijët të dalin jashtë kontrollit të tyre dhe të bien pre “e shoqërisë së keqe” ose e trafikantëve, shpërndarësve të drogës etj. Shkolla ka rolin dhe rëndësinë e saj, por roli i saj në këtë rast është i reduktuar. Shpërndarja dhe përdorimi i lëndëve narkotike, mbi të gjitha, është problem penal, ndaj mësuesin nuk mund ta shndërrosh në një xhandar, që, përveçse të kujdeset për edukimin dhe mësimin e fëmijës, të kryejë edhe rolin e policit ose të investiguesit se kush është përdorues dhe kush është shpërndarës. Aq më tepër që shpërndarja dhe konsumimi i lëndëve narkotike realizohet jashtë ambienteve të shkollës, gjë që e redukton automatikisht rolin e drejtpërdrejtë të mësuesit në këtë rast. Pushteti lokal, drejtoria e policisë, nëpërmjet projekteve të policimit në komunitet, institucionet që merren me të rinjtë dhe organizatat e ndryshme joqeveritare duhet të bëhen bashkë dhe të gjejnë rrugë dhe mënyra për të sensibilizuar të rinjtë për efektet negative dhe për domosdoshmërinë e qëndrimit larg të tyre nga përdorimi i lëndëve narkotike.
Por të rinjtë si qenie sociale në formim e sipër janë më lehtësisht të ndikuar dhe janë pjesë e një superstrukture të tërë, e cila, së pari, duhet të jetë e vetëdijshme për rrezikun e madh dhe, së dyti, ta dënojë rëndë këtë fenomen mjaft të rrezikshëm për të ardhem e tyre. Unë nuk e di se në ç’masë është i përhapur përdorimi i lëndëve narkotike në vendet evropiane dhe se deri në çfarë mase është “normale” një gjë e tillë, por di të them se këtu tek ne, edhe pse nuk ka një statistikë zyrtare për këtë fenomen, numri i të rinjve që konsumojnë dhe janë përdorues të lëndëve narkotike është duke u rritur përditë, duke e bërë fenomenin një ndër problemet më të mëdha të të rinjve tanë.

Advertisements

Leave a Reply