Pse sulmohet biznesi i vogël?

No comments

Nga Julian A Saraçi*

Një ditë po lexoja një libër që fliste për ndikimin e fuqishëm që ka patur biznesi i vogël në zhvillimin e qytetërimeve. Biznesi i vogël, gjithmonë dhe kudo i ka dhënë shtetit dhe shteti nuk i ka dhënë aq sa duhet biznesit të vogël. Sot, duan t’i marrin akoma më tepër nëpërmjet përfshirjes së padrejtë në TVSH, pavarësisht nivelit të xhiros. Po pse bëhet e gjithë kjo ? Ja u them unë pse. Dy janë arsyet : urdhëri i FMN për të rritur të ardhurat në buxhet dhe eliminimi, falimentimi i biznesit të vogël në dobi të bizneve të mëdha. E para është kusht, e dyta është alibi. As e para dhe as e dyta nuk përdoren për motiv, pasi e para nuk duhet të bëhet publike dhe e dyta nuk është një akt normal dhe ligjor. Përdoret një argument e tretë : Për të formalizuar ekonominë dhe për të vendosur konkurrencën e plotë të tregut të lirë. Le t’i analizojmë pak fjalitë më sipër.

Padyshim, Shqipëria është një vend me marrëveshje tregtare ndërkombëtare dhe që aspiron të hyj në BE, një bllok i cili ka kërkesat e veta për të pranuar anëtarë të rinj. Në aspektin e ekonomisë është ulja e korrupsionit, konkurrenca e pastër dhe rritja e të ardhurave që mbledh qeveria. Po, janë normale ! Mirëpo, problemi është çfare metodash përdoren për t’a arritur këtë. Unë nuk jam për një vend kaotik, ku mbizotëron ligji i rrumpallës dhe secili bën atë që do. Unë jam për drejtësi të plotë, me një standart dhe gjithëpërfshirësë. Çfarë dua të them me këtë ?

Problemi i ekonomisë dhe evazionit fiskal nuk nis me shitësit me pakicë, që shumica janë biznes i vogël. Evazioni fiskal lind dhe rritet nga dogana, nga bizneset të ashtëquajtura VIPA dhe nga bizneset miliarda dollarëshe, kapitale e të cilave nuk justifikohen kurrë ! Biznesi i vogël formalizohet i fundit, pasi i gjithë zinxhiri ekonomik është formalizuar. Të përdorësh biznesin e vogël si alibi për të formalizuar ekonominë është vepër dashakeqe, e cila mund të zbatohet vetëm nga një mendje e sëmurë. Para se t’a them këtë, ju lutem nuk dua të keqkuptohem sikur po jam me njërën parti apo me tjetrën. Unë jam kundra politikës, pasi asnjë parti nuk ka një identit, një filozofi që e ndjek, por janë shndërruar në biznese, ku mbizotëron ligji i interesit dhe lobimit.

Të përdorësh si alibi mbijetesën, kur mund të shkurtosh miliardat e VIPAVE, do të thotë ose ti je i përfshirë dhe i ke bizneset e tua, ose nuk ke këllqe për t’a bërë këtë, nisur nga influencat ekonomike apo kriminale, fenomen i cili ka sjell në pushtet shumë vemje që nuk e meritojnë të jenë në ato poste që kanë.

Dhe kush mendon që shteti nuk i di apo nuk ka mundësi të zbulojë dhe ndalojë evazion gjigand të bizneseve të mëdha që e kalojnë 8 milionshin apo “bizneseve të mëdha” që janë nën 5 milionë ? Unë besoj që po mundet, mendoj që ne nuk kemi probleme te ligjet apo te praktikat shtetërore. Ne çalojmë te zbatimi në terren, pasi pronari VIP, kur i kapen shkelje, e zgjidhin ose duke marrë në telefon direkt pushtetarin me të cilën është lidhur, ose duke dhënë ryshfete inspektorëve përkatës. Kujtojmë, që nuk mund të flitet për një konkurrencë të pastër, kur informaliteti është në qiell dhe indeksi i korrupsionit është mbi 80%.

Një tjetër fenomen është përligjja e kriminelit më të rëndomtë, e injorantit më të madh si një biznesmen. Pra, pastrohen paratë me anë të politikës, duke i transformuar përdhunuesit, trafikantët e njerëzve dhe të drogës, vrasësit dhe kriminelët e çdo forme në njerëz me influencë ekonomike, në biznesmen me kollare dhe në parametra të rregullt ligjor. Një familje normale kursen dhe investon 5000-20000 euro, ndoshta edhe pak më tepër, një kriminel vret dhe trafikon miliona euro dhe investon në biznes. A nuk e deformon konkurrencën e tregut kjo ? A nuk ndikon në politikëbërje dhe në kthimin e politikës në shitore, ku krimineli blen legjitimitetin e tij me para dhe politika shet moralin, ligjin dhe të drejtën, duke përfituar më shumë vota dhe disa miliona para në formë nderi dhe ryshfeti ? A është normale kjo ? A nuk duhet filluar sulmi kundër evazionit fiskal nga këto grupe ? Po, por këto nuk munden se këto kriminelë janë këmbët e karriges së pushtetit të tyre, pa to karrigia thyhet dhe këto bien nga pusheteti.

Të ardhurat publike në Shqipëri janë diku 24-27 % të GDP totale, para pak vitesh që është e dhënë e verifikuar kanë qenë 366 miliardë lekë, nga të cilat 36-38% vijnë nga TVSH. Pra, është tatimi më i rëndësishëm. Pjesa tjetër plotësohet nga akciza 13-14%, TAP 8%, tatimi mbi fitimin 5-6 %, të ardhura nga pushteti vendor 3-4 %, kontributet 19%, dhe diferenca me të ardhura jotatimore si psh studentët apo fitimi i BSH. Nga të gjitha këto, ndikimi i biznesit të vogël i llogaritur është më pak se 5% ! E kuptoni çfare do të thotë kjo ? Që duan të nxjerrin dhjam nga pleshti ! Të godasësh biznesin e vogël do të thotë të luftosh bukën e përditshme në familjet e mesme dhe të nxjerrësh nga tregu 98% teorikisht jashtë loje, në favor të 2 % që janë miq me deputetët dhe ministrat.

Ky kategorizim i nivele të bizneseve 0-5-8 milionë është që nga koha e Fatos Nanos, këtu dhe para 10 vitesh. Inflacioni në Shqipëri ka qenë i moderuar në nivelin 3 %, pra 30 % të paktën (pa përfshirë rritjet e tjera si psh taksa) është rritur niveli i çmimeve, indirekt edhe xhiro. Kufiri nuk ka ndryshuar. A nuk është e padrejtë kjo ? A është e drejtë që TEGU, QTU, SPAR dhe bizneset miliarda dollarëshe të paguajnë tatim fitim dhe tvsh, njësoj si një market lagje, kafe lagje apo një biznes familjar që thjesht ushqen familjen me bukë ? Pasi të dy e kalojnë 8 milionshin si kufi, i bie gati 22’000 në ditë xhiro, ose thënë ndryshe 100 kafe dhe 50 kanoçe në lokal gjatë gjithë ditës.

Një aspekt tjetër me rëndësi janë kostot shtesë për biznesin e vogël. Së paku, do paguajnë më shumë për pagën e ekonomistit që do merret me TVSH dhe do rritet kosto e mallit. Kjo gjë do reflektohet ose te çmimi i rritur me të paktën 20%, ose do mbartet si kosto në kurriz të fitimit të tyre të pakët. Nëse rrisin çmimet, do i ulen klientët dhe indirekt do kemi rritje të xhiros të bizneset që janë aktualisht skemë e tvsh, pra bizneseve të mëdha. Do kemi një riorientim të të ardhurave nga mbijetesa drejt miliardave dhe një rritje të thelluar të pabarazisë në shpërndarjen e të ardhurave. Kjo nuk është konkurrencë, as kapitalizëm, kjo është diktaturë dhe ndërhyrje e shteti dhunshëm në dëm të një grupi të pambrojtur ekonomisht dhe në dobi të kanakarëve që lobojnë fuqishëm në politikë.

Supozojmë që ndodhi dhe kaloi në parlament. Çfarë do ndodh ? Një pjesë e bizneseve do falimentojnë, do kemi të papunë. A i ka fuqitë shteti, a i ka mekanizmat e nevojshëm për të hedhur këto të papunë në treg ? Jo, nuk i ka, edhe sikur t’i ketë, pjesa më e madhe e tyre janë të vjetër dhe pa ndonjë profesion real. Nga ana tjetër, papunësia do sjell ulje të konsumit. Në afatshkurtër, nuk do ndihet shumë, por në afatgjatë, kjo ulje e konsumit do ndikojë në shkurtimeve të biznesit në përgjithësi dhe në mungesë investimesh. Kjo përkthehet në më pak taksa dhe tatime në shtet, rrjedhimisht më pak shpenzime qeveritare. Me pak fjalë, një sakati m i ekonomisë në afatgjatë.

Për t’a mbyllur, kryeministër, unë nuk jam kundër deklaratës tuaj qesharake që thoni : “Të gjithë do bëheni subjekte të TVSH, por tatimet nuk do rriten.” Unë nuk jam kundër formalizimit apo drejtësisë, por nuk kam si të jem pro drejtësisë fragmentare apo formalizimit duke sakatuar të varfërit dhe bosat e vipave dhe doganës të hedhin valle se u shtohen miliardat. Problemi zgjidhet nga gropa, jo nga maja, nga ato që deformojnë ekonominë, jo nga ato që thjesht hanë bukë dhe jetojnë.
Po e mbyll me një shprehje të Jean Baptiste Colbert, ekonomist në kohën e Luigjit të Francës : “Arti i taksimit ngjan me shpupulimin e vazhdueshëm të rosave për të mbledhur sa më shumë pupla, por me sa më pak fërshëllima”.
Miqtë e mi, kush më mirë sesa familjet e mesme dhe të varfëra, ato që vuajtën në tranzicion thjesht për të ngrënë bukë, ato që nuk kanë institucion që t’i mbrojë, ato që nuk kanë një sindikatë që t’i mbrojë, ato që mbijetojnë dhe ato që kanë më pak dije rreth taksimit dhe ekonomisë, kush më mirë se t’a mund të jetë pre dhe alibi për të përfituar oligarkët e mëdhenj të krimit, politikës dhe biznesit të madh ?!

* Autori është ekonomist.

Advertisements

Leave a Reply