Projektligji per “Ndihmen ne energji”

No comments

 

12434461_10156300424740705_1614058804_n
KUVENDI

PROJEKTLIGJ

Nr. /2016

PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 9355, DATË 10.03.2005 “PËR NDIHMËN DHE SHËRBIMET SHOQËRORE”

Në bazë të neneve 78 dhe 81 pika 1 të Kushtetutës, me propozim të deputetit Gerti Bogdani:

KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:

Në ligjin nr. 9355, datë 10.03.2005 “Për Ndihmën dhe Shërbimet shoqërore”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Në nenin 4 bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtëme:

1. Pas pikës 1/1 shtohet pika ½ me këtë përmbajtje: “Ndihma në energji elektrike” është pagesa nga ana e shtetit për energjinë elektrike të konsumuar nga abonentet të cilët janë në kushtet e parashikuara nga neni 19/1 i këtij ligji.

Neni 2
Në nenin 5 bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtëme:
1. Pas “përfituesit e ndihmës ekonomike” shtohet “ dhe ndihmës në energji elektrike”.

Neni 3

Pas nenit 10, shtohet neni 10/1 me këtë përmbajtje

“1. Ndihma në energji elektrike jepet në formën e zbritjes nga fatura mujore e energjisë elektrike, të sasive dhe vlerës përkatëse prej:
a) 90 KW(kilovatesh) në çdo faturë mujore të energjisë elektrike për të gjithë muajt që përfshihen në periudhën nga dita e parë e muajit Maj, deri në ditën e fundit të muajit Tetor, të çdo viti.
b) 150 KW (kilovatësh) në çdo faturë mujore të energjisë elektrike për të gjithë muajt që përfshihen në periudhën nga dita e parë e muajit Nëntor, deri në ditën e fundit të muajit Prill, të çdo viti.

2. Sasia e kilovatëve dhe vlerës përkatëse të tyre, të percaktuara në pikën 1 të këtij neni, do të zbriten nga shuma përfundimtare e faturës së muajit përkatës, si tek zëri i sasisë dhe tek ai i vlerës përkatëse.

3. Vlera e detyrimit për çdo muaj do të zbritet deri në masën zero kilovat dhe zero lekë.

Neni 4

Shtohet neni 19/1 si më poshtë:
1. Ndihma ne energji elektrike nga ana e shtetit sipas nenit 10/1 të këtij ligji bëhet për të gjithë abonentet e energjisë elektrike, të cilët përfitojnë ndihmë ekonomike të plotë dhe të pjesëshme sipas pikës 1 dhe 2 të nenit 19 të këtij ligji.

Neni 5

Në nenin 20 shtohet pika 5 si mëposhtë:

1. Procedurat e përfitimit të ndihmës në energji elektrike, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 6

Në nenin 27, pika 5, gërma “dh” bëhen ndryshimet e mëposhtme.

1. Pas “përfituesit e ndihmës ekonomike” shtohet “dhe ndihmës në energji elektrike”

Neni 7

Në nenin 28 pika 1 bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtëme:
1. Pas “programimin e fondeve të ndihmës ekonomike” shtohet “ dhe ndihma në energji elektrike”.

Neni 8

Neni 28/ ndryshohet si mëposhtë:
1. Pas “për ndihmën ekonomike” shtohet “dhe pagesën e detyrimeve që rrjedhin nga ndihma në energji elektrike”.

Neni 9

Pas nenit 33, shtohet neni 33/1 me këtë permbajtje:

1. Financimi i ndihmës në energji elektrike përballohet nga:
a) Të ardhurat e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike;
b) Buxheti i shtetit.

Neni 10

Pas neni 38, shtohet neni 38/1 me këtë përmbajtje:

1. Fondet e buxhetit të shtetit që do të shkojnë në mbështetje të ndihmës në energji elektrike, do t’i transferohen çdo vit Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Modalitetet e transferimit të këtyre fondeve do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 11

Neni 40 ndryshohet si më poshtë:

1. Pas “me aftësi të kufizuar” shtohet “ndihmës në energji elektrike”.

Neni 12

Ky ligj hyn në fuqi pas botimit ne Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet që nga data 1 Janar 2016.

K R Y E T A R I

Ilir META

R E L A C I O N

PËR

PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 9355, DATË 10.03.2005 “PËR NDIHMËN DHE SHËRBIMET SHOQËRORE”

I. QËLLIMI I PROJEKTLIGJIT

Bazuar në ngjarjet e fundit me përfundime tragjike, ku një prind vrau veten për shkak të pamundësisë për të siguruar nevojat bazë të familjes së vet me energji elektrike, apo një tjetër e moshuar e cila pati dëmtime te pakthyeshme të shëndetit si pasojë e të ftohtit dhe mungesës së energjisë elektrike, apo te qindra rasteve të tjera të cilat shfaqen pothuajse çdo ditë në media, ku individë apo familje në kushtet ekstreme të varfërise vuajnë në këtë të ftohtë pa ngrohje, pa ushqim, pa larje për shkak të mungesës së sasisë bazike te domosdoshme te energjisë elektrike, propozohet ky projektligj, në mbështetje të nenit 81, pika 1, të Kushtetutës. Ky projektligj ka për qëllim përcaktimin e një mase të caktuar kilovatësh energjie elektrike, e cila do t’i jepet falas të gjitha familjeve apo individëve që klasifikohen si familje apo individë në nevojë dhe që përmbushin kriteret për te përfituar ndihmën ekonomike.

II. ARGUMENTIMI I PROJEKTLIGJIT LIDHUR ME PËRPARËSITË, PROBLEMATIKAT, EFEKTET E PRITSHME

Miratimi i këtij projektligji do të sjellë një ndryshim të rëndësishëm për sa i përket cilësisë së jetës për familjet dhe individët në nevojë.

Nga grupi i cili është marre me përgatitjen e këtij projekt-akti është pasur parasysh fakti që situata financiare ne sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike (OSHEE) ka njohur së fundmi një përmirësim të ndjeshëm dhe duke qënë se fatura financiare e këtij ligji është tërësisht e përballueshme, u mendua që një pjesë të këtyre fitimeve që kompania ka realizuar dhe do të realizojë në të ardhmen nuk mund të kishin destinacion më të mirë sesa të shkonin në ndihmë të atyre familjeve që kanë më shumë se kushdo tjetër për ndihmë.

Natyrisht, duke marrë parasysh faktin që kompania mund të ketë planifikuar dhe projekte të ndryshme investimesh në kuadër të përmirësimit të sistemit të shpërndarjes së energjisë, eshte lënë opsioni që Qeveria, nëpërmjet fondeve të veta nga Buxheti i Shtetit, të përballojë herë pas here një pjesë të këtyre kostove që do të lindin nga zbatimi i këtij ligji.

Nga studimet e bëra nga grupi i punës që u morr me hartimin e këtij projekt-akti, rezultoi që sasia minimale ditore, me anë të së cilës një familje mund të përmbushë vetëm nevojat jetike janë:

Ndriçim​- 0.5 KW
Gatim, larje, shtëpiake​- 2.5 KW
Ngrohje​- 2.0 KW

Sasia e menduar për t’ua dhënë falas familjeve në nevojë, është ndarë në dy fasha. Në fashën e Dimrit dhe në fashën e Verës. Kjo është bërë për efekt të ekonomizimit maksimal të vlerës së faturës financiare që ky ligj do të sjellë me vete per kompaninë e shpërndarjes apo për Buxhetin e Shtetit.

Në Fashën e Dimrit, e cila do të aplikohet ne muajt Nëntor-Prill, është llogaritur që sasia e energjisë së falur të jetë 5 KW në ditë. Kjo pasi gjatë dimrit nevojat bazike të familjes përfshijnë të tre komponentët, ndriçim, gatim dhe shtëpiake si dhe ngrohjen.

Në Fashën e Verës, e cila do të aplikohet në muajt Maj-Tetor, nuk është llogaritur ngrohja si komponent, por vetëm dy komponentët e parë, ndriçim dhe gatim, larje etj.. Sasia e KW të propozuar për t’u dhënë falas është 3 KW në ditë.

Nisur nga të dhënat më të fundit, të publikuara nga SH.S.SH., numri i familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike sipas përcaktimeve te këtij ligji, është rreth 82.000 familje.

Sasia totale e KW që një familje do të përfitojë gjatë një viti është 1440 KW. Sasia e energjisë që do të kalojë si përfitim i familjeve në nevojë do të jetë 118’080’000 KW në vit.

Vlera e llogaritur e e faturës vjetore të ndihmës në energji elektrike, për një familje, me çmimin 9.5 Lek/KW, është 13’680 Lekë.

Vlera totale e faturës vjetore, që OSHEE do të zbresë nga të ardhurat, është rreth 1.12 miliardë Leke, ose rreth 9 milionë USD në vit.

Duhet theksuar fakti që për OSHEE kjo nuk është vlera e kostos, por janë zbritje nga të ardhurat, pasi vlerësimi po bëhet me çmimin e shitjes së energjisë, i cili përfshin edhe fitimin e kompanisë brenda. Kostoja që do të përballojë kompania do të jetë më e ulët.

III. VLERËSIMI I LIGJSHMËRISË, KUSHTETUESHMËRISË DHE HARMONIZIMI ME LEGJISLACIONIN NË FUQI VENDAS E NDËRKOMBËTAR

Projektligji është mbështetur në nenin 81, pika 1, të Kushtetutës.

IIII. VLERËSIMI I SHKALLËS SË PËRAFRIMIT ME ACQUIS COMMUNAUTAIRE (PËR PROJEKTAKTET NORMATIVE)

Projektligji nuk synon përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Europian.

V. INSTITUCIONET DHE ORGANET QË NGARKOHEN PËR ZBATIMIN E KËTIJ AKTI
Për zbatimin e këtij projektligji ngarkohen Ministria e Energjetikës dhe Industrisë, Ministria e Financave dhe Ministria Mirëqënies Sociale dhe Rinisë.

VI. PERSONAT DHE INSTITUCIONET QË KANË KONTRIBUAR NË HARTIMIN E PROJEKTAKTIT

Projektligji është hartuar nga Nisma Thurje që është një organizatë e shoqërisë civile dhe është propozuar në Kuvend nga deputeti Gerti Bogdani.

VII. RAPORTI I VLERËSIMIT TË TË ARDHURAVE DHE SHPENZIMEVE BUXHETORE

Ky projektligj mbart efekte financiare totale në masën 1,12 miliard lekë, bazuar në llogaritjen e rreth 82 mijë familjeve në nevojë që përfitojnë aktualisht ndihmë ekonomike.

Masa e efektit në buxhetin e shtetit për vitin aktual mendohet të jete 0 (zero) pasi, nisur nga treguesit financiarë të publikuar, OSHEE ka gjithë mundësitë që ta mbulojë vetë gjithë faturën financiare të këtij ligji për vitin 2016.

Në bazë të nenit 68 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, Ministria e Financave duhet të japë mendimin mbi efektet financiare.

 

Leave a Reply