Pije detin Ksant!

No comments

Nga Pano Soko

Ksanti, pronari i skllavit Ezop, (në dramatizimin fantastik që Guilherme de Oliveira Figueiredo i bëri veprës së La Fontaine “Dhelpra dhe rrushtë”) në një ditë vere në agora, kërkoi t’i mbushte mendjen athinasve që ai ishte aq i zoti saqë mund ta pinte të gjithë detin dhe që të nesërmen do t’ua demonstronte.
Kur shkoi në shtëpi, e kuptoi që kishte premtuar një absurditet. Dhe gravitetin e gafës që kishte bërë e kuptoi kur analizoi pasojat. Tashmë e kishte vendosur veten përballë dy zgjidhjeve, ose të dilte të nesërmen në agora dhe të pranonte që kishte mashtruar popullin, duke vuajtur konseguencën e një veprimi të tillë, siç ishte shkarkimi me turp nga Këshilli i Lartë i Athinës ku ai ishte këshilltar, ose…te pinte detin.
I frustruar nga situata, ai i lutet për një zgjidhje skllavit të tij të mençur Ezop, i cili fërkoi duart që i erdhi rasti të “ndëshkonte” zotërinë e tij zemërzi, hileqar dhe koprac. Përgjigjja epike e Ezopit ishte “Një këshilltari të lartë s’i takon t’shkasë me dredbi premtimeve që jep në agorë. Pije detin Ksant!”

Po e shkëpus këtë fragment, i cili mu kujtua sot kur po lexoja një tufë me reagime në lidhje me kërkesat e studentëve drejtuar qeverisë. Natyrisht pjesën më të madhe të reaksionit kundërshtues e ka kapur pika e parë nga 8 pikat, pikërisht ajo që kërkon bërjen e buxhetit të arsimit nga 2.9% sa ç’është sot, në 5% e GDP.
Personalisht unë pikërisht këtë pikë e konsideroj pikën më të bukur, nga të tetë pikat. Kjo pikë është më kuptimplotja.
Në 2013, kur Rama doli në fushatë elektorale, premtoi që brenda mandatit të parë do ta çonte buxhetin e arsimit në 5% të GDP-së. Natyrisht kjo hasi në kundërshtinë e mendjeve racionale që e gjykonin të pamundur në kushtet tona, kalimin nga 2.8 në 5% të GDP brenda 4 vjetëve. Duhen të paktën 10. Por Ramës as s’ia ndiente për racionalitetin. I etur për votat e agorës që do ta çonin në pushtetin e shumë-ëndërruar, ai premtoi se ishte kaq i zoti sa do të pinte detin. Kërkesa sot për të rritur buxhetin e arsimit brenda një viti nga 2.9 në 5% (rreth 320 milionë USD) është “Pije detin Ksant!”.
Prandaj unë e quaj pikën më të bukur, sepse ajo është karma në veprim.
Papërgjegjshmërisë nuk mund t’i përgjigjesh ndryshe përveçse me irracionalitet.

Bëjnë gabim ata që e klasifikojnë pikën 1 si pikë ekonomike. Kërkesa për buxhetin e arsimit 5% është kërkesë totalisht politike, s’ka lidhje me ekonominë. Është tribun i konceptit të llogaridhënies (accountability), një koncept që ne s’e kemi aplikuar asnjëherë. Tek ne vjen njëri, mashtron do të bej këtë, do të bëj atë, vetëm më jepni pushtetin – vjen në pushtet dhe s’bën asgjë, dhe justifikohet me këtë logjikën absurde të mbarëpranuar “politika kështu e ka, premton po s’mban..”. E pa studentët këtë s’e përtypën, siç kanë bërë prindërit e tyre këto 30 vjet.
Iu heq kapelen!

Kryeministri u shqye për këtë ligjin antishpifje ku do mbyllte gojën e të gjithë atyre pisanjosëve që i bënin pis punën e qeverisë së tij. Po harroi që kodi penal përmend shpifjen, por përmend dhe mashtrimin për qëllim përfitimi, ku mashtrimi elektoral për përfitim pushteti është pjesë e tij. E meqë Rama nuk do të ndëshkonte ndonjëherë veten për mashtrimet që ka bërë për të fituar votat, pika 1 e kërkesave të studentëve është neni anti-mashtrim në veprim!

Përkundër gjithë opinionit ekonomik, unë jam tifozi më i zjarrtë i pikës 1. Çdo deformim apo lëshim aty, ështē deformim i një pjese të rëndësishme të kauzës së tyre.

Bëje arsimin 5% siç e ke premtuar…pije detin Ksant!

Leave a Reply