Për Rrokadarët!

No comments

Nga Besjan Pesha

Nuk e kuptoj habinë që shoqëron njerëzit teksa flasin për ngjarjen e fundit te Akademia e Shkencave. As nuk kuptoj se përse papritur ka njerëz të cilët ndihen të shqetësuar nga ajo që po ndodh aty. Që të kuptohemi, jam I lumtur që ky debat po lind, por nuk e kuptoj shqetësimin e papritur sepse modeli I zgjedhur nga “shkencëtarët” shqiptarë për të ruajtur privilegjet, prej kohësh është perfeksionuar dhe kthyer në filozofi sunduese në Shqipëri.

Rrokada e të njëjtës kaste drejtuese tashmë është kthyer në model drejtimi pikësëpari nga akademikët, kuzhinierët e shoqërisë, dhe për këtë askush nuk ka folur më pare edhe pse gjellën j’ua hanë përditë. Ajo që ngjau në Akademinë e Shkencave, ku Ish Nënkryetari u ribë Kryetar dhe ish Kryetari u rikthye nënkryetar ka kohë që ndodh rëndom edhe në Universitetet e Shqipërisë, aty ku edukohen mbi të ardhmen brezat e rinj, të cilët pastaj të njëjtin model e kanë përcjellë në gjithë damarët e jetës së shoqërisë.

“You are what you eat” (ti je ajo që ushqehesh) thotë një shprehje e famshme. Më poshtë do përshkuaj vec pak nga gjella e gatuar në universitete e me të cilën ushqehet shoqëria jonë.

A nuk u bë dekani, rektor për t’u rithyer në dekan në UT? A nuk u bë ish rektori, dekan për tu rikthyer sërisht në rektor pasi dekani që e zëvendësoi si rektor të rikthehej si dekan në Universitetin e Arteve? E kështu kudo. Pse askush nuk flet për këtë model dhe dëmet që i vijnë prej tij shoqërisë? Pse këtë e pranojmë në heshtje dhe I turremi ca burrave “me penevrekë” a thua se është vetëm faji I tyre? Ata janë thjesht pararoja e një brigade nepotike e cila artin e sundimit e ka perfeksionuar, e ka kthyer në lëndë kryesore edukimi duke e përdorur produktin që prodhojnë, një shoqëri të heshtur dhe kokëulur, si mburojë.

A nuk janë kthyer Universitetet tona sot në vatra nepotizmi e qokatore? Mjafton të hedhësh një vështrim të shkurtër mbi përbërjen akademike të disa fakulteteve dhe lehtësisht dallon se kriteri kryesor I punësimit nuk është dija dhe vlerat shkencore por lidhjet familjare apo politike. Fëmijë, nipër dhe mbesa dekanësh e rektorësh, kalamaj apo të afërt të politikanëve me influencë në Shqipëri sot edukojnë brezat e rinj. Do të thellohem më tej për këtë temë dhe do flas edhe me emra të përvecëm, por sot dua të përqëndrohem te modeli dhe dëmi që i ka sjellë shoqërisë. Do flas sepse dikush duhet ta bëjë, e meqë askush nuk e bën nga aty brenda do e nis unë nga jashtë.

E zëmë se je një student I vitit të parë në një nga fakultetet e sipërfolura. Mësimi I parë që merr është se nuk ka asgjë të keqe që dekani apo rektori të jëtë I njëjti njeri për dhjetra vite edhe pse situata e fakultetit nuk është përmirësuar por përkeqësuar në vite. Edhe pse raportet e KLSH apo audited të kanë kapur me presh në duar duke abuzuar me qindra miliona lekë, edhe pse raportet apo sondimet antikorrupsion e nxjerrin arsimin si më të ekspozuarin ndaj korrupsionit mbas drejtësisë dhe shëndetësisë. Biles ky fakt të shitet si një vlerë e vecantë e këtyre njerëzve. “Dekanin e kemi mafioz” të thotë dikush duke nënkuptuar që është njeri që di t’ia lozë sistemit. Ti e pranon këtë vlerë dhe e mbrujt brenda teje për ta aplikuar nesër në jetë. Kështu, nuk të bën fare përshtypje që edhe mes atyre që drejtojnë shtetin mbizotëron e njëjta filozofi ku nuk ka fare rëndësi rezultati në punë por se sa “mafioz” je. Jo vetëm aq, por ti stërvitesh dhe ëndërron të bëhesh vetë një mafioz.

Mësimi I dytë që merr është se shumica dërrmuese e pedagogëve nuk janë aty sepse dinë më shumë se të tjerët, por sepse kanë lidhje familjare apo konjukturale më të forta se të tjerët. “Kush të jep mësim” pyet shoqja? “Mbesa e politikanit, rektorit, dekanit.” ia kthen ti. Kjo vlerë prodhon dy efekte. Krenari kur je pjesë e kastës dhe dëshpërim kur nuk je. Krenar se nuk të duhet detyrimisht të mësosh e punosh, fati jot është I shkruar në librin e familjes. Dëshpërim sepse mëson me dhunë për 4 vite se sado të lëcitësh e nxësh aftësitë I ke të kufizuara për shkak të trungut familjar. Ose do paguash. Paraja e can bllokadën gjithnjë dhe të ripërtërin aftësitë. Kështu kur del në jetë e pranon si vlerë të shoqërisë faktin që në punë nuk të fusin aftësitë por trinomi parti-mik-para. Nëse nuk ke asnjë prej këtyre je kontigjent për kamarier ose emigrant, në varësi të këllqeve. E meqë të kanë bindur se kjo është vlerë, ti nuk bën asgjë për ta ndryshuar, nuk bërtet, nuk ulëret, por hesht kokëulur dhe pranon fatin.

Mësimi I tretë dhe më I madh që merr është se heshtja dhe servilizmi vlerësohet. Pedagogu që hesht përballë kësaj maskarade promovohet në shef dhe I lind e drejta të ëndërrojë për karrierë nëse perfeksionon artin e të servilosurit. Ai që flet të vërtetën ose rri në vend, ose shtyhet ngadalë me brryla drejt derës së daljes. Nuk mbaron me kaq, kur lind pyetja se përse u largua përgjigja që jepet është “Nuk I rrinte bytha rehat”. Rehatia pra e bythës tëndë dhe ngjitja e gjuhës të bytha e shefit promovohet. Kështu, student që arrin ta perfeksionojë këtë “stil” jetese, ia del mbanë teksa “bythëlëvizurit” cilësohen si budallenj pa të ardhme.

Kështu, edhe falë punës së palodhur të disa dijefagëve rrokadarë në Universitete, sot kemi një shoqëri të mpirë e cila pranon në heshtje, kokëulur dhe në rradhë si dele rrace, fatin që grushti I rrokadarëve të politikës gatuan për ta. E teksa vendi rrokulliset vazhdimisht nga një shkëmb I të keqes te tjetri, shoqëria hesht. Heshtje që së pari prodhohet nga shkencëtarët e rrokadës të ngulur fort aty ku gatuhen vlerat e shoqërisë.

Pra nuk ka fare vend për habi me Akademinë e Shkencave. Në këtë vend rrokada është kthyer në shkencë dhe rrokadarët në shkencëtarë. Debati duhet marrë me themel e të hedhim dritë aty ku e keqja gatuhet si ushqim popullor e jo vetëm aty ku shfaqet si jashtëqitje. Kështu I shërbejmë realisht publikes dhe shoqërisë. Ose, vazhdojmë bëjmë gjasme, prodhojmë ca tituj e bëjmë pak show sa të fillojë spektakli I vërtetë, ai parlamentar.

Advertisements

Leave a Reply