Për çfarë të flasim?

No comments

Nga Osman Stafa

Pika 1, po, pika 2, po …pika 8 po!
Atëherë për çfarë të flasim? Për çfarë duhet dialogu?
Dialogu do të duhej në një rast kur Kryeministri do të kishte një jo, ndër pikat e kërkuara nga studentët. Apo Kryeministri mendon se meqë të gjitha pikave u tha po, studentët do venë dorën në zemër dhe do i thonë jo, ndonjë pike, e kështu do duhej dialogu. Por jo, Kryeministri u thotë po pikave, por nga ana tjetër do dialog. E çuditshme dhe e padëgjuar më parë! Sepse nuk ka një çështje për t’u dialoguar në momentin që Kryeministri i pranon të gjitha. Dhe në momentin që t’i i pranon, të mbetet vetëm zbatim, plotësim i kërkesave. Dhe kjo do të ndodhte vetëm në një vend demokratik, ku Kryeministri i vendit do kishtë kërkuar një ndjesë publike, do kishte pranuar kërkesat, do kishte nisur nga puna menjëhërë për të zgjidhur problemet.
Çfarë do më thoni që Kryeministri ka 6 vitë në pushtet dhe nuk di cfarë problemesh kanë në Shqipëri mijëra studentë? Po më thoni që ai nuk i di kushtet e konvikteve ku rrinë mijëra studentë? Po më thoni që ai nuk e di që pedagogët ushtrojnë presion mbi studentët duke kërkuara para dhe favore seksuale? Po më thoni se Kryeministri nuk e di që në universitete nuk ka biblioteka dhe laboratore? Kryeministri nuk e di që pedagogët nuk sheshin librat e tyre me çmime të kripura? Pse kjo protest studentore e kthjelloi atë që të nisë punën për të rregulluar problematikat e arsimit? Atëhërë ose vërtetë nuk i di, ose i di dhe e ka lënë problemin ashtu të pazgjidhshëm. Sepse janë 6 vite që studentët ngrenë zërin për problematikat e tyre dhe askush nuk i dëgjon. Jo pak ë?
E gjitha çfarë po tenton Kryeministri është që këtë protest të studentëve ta kthej në favor të tij. Ai do të jetë në anën e studentëve dhe pasi dëshiron t’i këtë përpara do të zhvillojë dialog-monologun e tij, me orë me radhe, e pastaj do dalë edhe përpara mediave, do bëj një foto me studentët, do buzëqeshë, do u hedh atyre dorën supeve dhe do thotë për publikun: “Nga sot une jam me studentët, nga sot ata për çdo pedagog që abuzon, apo u merr lekë, do më shkruajnë në numrin tim, së bashku do bëjmë reformën në arsim, së bashku ne treguam se rruga e dialogur është e vetmja. Partia Socialiste është mbështetëse e studentëve, dialogu u vonua për shkak të Lul Artistit dhe Doktoreshës së Shkencave Monës”.
Kështu do të mbyllet e gjithë protesta më e madhe e zhvilluar ndonjëherë nga studentët pas viteve 90’. Dhe Rama do të mbahet mend që ka qënë me studentët dhe i dëgjoi ata.
E kundërta!
Rama plotëson pikat dhe krijon preçedentin. Ashtu si studentët, nesër mund të ngrihen përsëri qytetarët, duke qënë të pakënaqur me kushtet e jetesës, ekonomike, shëndëtësore, punësimit, politikave sociale, arsimit, e çdo gjë tjetër.
Dhe krijimi i preçedentit dhe fitimi i të drejtave me protest, do frymëzonte shumë të tjerë, që u ka ardhur në majë të hundës.
Prandaj kjo nuk është kurrësesi një protest ekonomike, thjeshtë për të ulur ca tarifa, apo për të plotësuar ato 8 pika që studentët kanë kërkuar.
Kjo protestë është gjithashtu për të frymëzuar të gjitha ata që mendonin se nervi protestues i këtij populli kishte vdekur. Eshtë një protestë model e treguar ditë më radhë dhe ka treguar se kur ka një qëllim të përbashkët, një interest ë përbashkët, ai mund të arrihet.

Sido që t’i shkojë fundi kësaj proteste (uroj që Kryeministri të reflektojë, të plotësojë kërkesat dhe pastaj të fillojë mënjëhërë nga puna për plotësimin e tyre) ajo e arriti qëllimin e saj. I tregoi klasës politike që kupa është mbushur dhe në një moment ose tjetrin do plasë.
Ne që prej vitit 1990 vazhdojmë të jemi në trazicion. 28 vite. Më shumë se një çerek shekulli dhe askush nuk merr asnjë përgjegjësi më çfarë ka dështuar në këtë vend, veçse ata ndërrojnë karriget me njëri-tjetrin sa herë ka zgjedhje dhe kaq. Populli paguan taksa, edhe pse pa punë, merr ilaçe të skaduara, vuan mungesën e tyre nëpër spitale, mjeket po ikin, arsimi në norma të frikshme dështimi,PPP-të dështim të gjitha, abuzimi me tenderat ndodh në ditën me diell, vendet e punës me mik ose me teser partie, krimi i pakontrolluar, drogërat në duart e fëmijëvë. A janë fakte këto? Çfarë nuk ndryshon në këtë vend? Vetëm politikanët. Ata janë aty gjithmonë. Nuk ikin. Dhe pse? Sepse ne i kemi lejuar, sepse ne u kemi dhënë pushtet pa kufi.
Prandaj është e nevojshme që njërëzit t’i dalin për zot vetës së tyre, të ardhmes së tyre, nëse vërtëtë dëshirojnë në këtë vend. Koha është tani që të mos pendohemi nesër.

Leave a Reply