Njihuni me 5 shqiptarë të ndershëm dhe historitë e tyre të jetës!

No comments

“Vasilika, me një pincë e me një kaçavidë ha bukë moj bijë” më thoshte babai. Atëherë isha e re dhe mes ëndrrash për profesione të tjera nuk e kuptoja rëndësinë e këtyre fjalëve. Me këmbënguljen e tij përfundova shkollën profesionale elektrike në Fier. Pas mbarimit të shkollës fillova punë, dalëngadalë fillova ta pëlqeja zanatin tim. Iu dedikova zanatit së bashku me tim shoq në Uzinën e Ballshit për 27 vjet, unë riparoja elekromotorrë, ndërsa ai ishte mekanik pompash. Punoja nga mëngjesi në mbrëmje, herë herë më duhej ta gdhija në punë pasi uzina ishte e rëndesissë së veçantë dhe smund të bëheshim pengesë. Fëmijët rriteshin dhe kërkesat rriteshin, ishin me sytë drejt Tiranës. Përpara 15 viteve na kapi nhë mga asistencat e shumta që bëheshin në uzinën e Ballshit. Ishte moment i vështirë për ne… Nuk e ulëm kokën, zanatet i kishim, ngritëm plaçkat dhe erdhëm në Tiranë. Hapëm aktivitetin tonë duke rioaruar pompa dhe elektromotorrë. Fillimi ishte shumë i vështirë, qeraja e papërballueshme, fëmijët ishin rritur… Megjithatë e morëm veten, aktiviteti na ecte mirë dhe i mori këmbët e veta. Përpara një viti e gjysëm im shoq u nda nga jeta, me ikjen e tij humba shokun e jetës dhe njeriun punëtor. Përsëri gjeta forca dhe vazhdova, im bir na i dëgjoi fjalët dhe e mësoi këtë zanat, ashtu sic e dëgjova dhe unë babain tim. Megjithëse im atë nuk jeton më dhe nuk më sheh cfarë kam arritur, çdo natë para se te fle them: Faleminderit Baba!”

******************

Image may contain: 1 person, sitting, closeup and outdoor

“Duke trazuar bojën me të cilën do lyente ustai dëgjoj një zë të panjohur: “Gëzim ti je? Po po, ti je Gëzim Muça, mjeshtër i sportit, si ka mundësi ti këtu…. Eh, Ia dedikova jetën mundjes që në klasën e tetë, duke u stërvitur pa pushim dhe duke punuar në ndërmarjet shtetërore të asaj kohe. Kam djersitur shumë por pasioni nuk të lodh. Derisa fillova ushtrinë përfaqësoja ekipin Studenti e më pas atë të Partizanit. Karriera sportive erdhi në ngritje, madje sapo lirohem nga ushtria marr edhe titullin “mjeshtër i sportit”. Kam përfaqësuar Shqipërinë në shumë evenimente ndërkombëtare. Mendoja që ky shtet do kujdesej që ne sportistët të kishim një punë siç duhet, të kishim një jetë të qetë e të sigurtë, të kishim një farë standarti pasi smund të merreshim gjithë jetën me sport. Eh. Mendime. Në vitin 1994 pasi e lashë mundjen fillova punë si punëtor kaldaje në Qytetin Studenti, punë nga e cila u largova gjatë trazirave të vitit 1997. Nuk mërzitesha. Punoja dhe e fitoja pagën edhe pse nuk ishte jeta që meritoj. Që prej asaj kohe marr prej shtetit një asistencë prej 17 mijë lek të vjetra. Madje dhe atë para 2 vjetësh ma hoqën një farë kohe pasi pretendonin se megjithëse pa punë jetoja në kushte të mira. Ju dukesha i pasur sepse kisha tituj. Ironike apo jo? Shteti të jep tituj në botë dhe ti shpërblen, këtu ta përdorin që të mos të paguajnë. Nejse Falenderoj Zotin që më ka dhëne forcë fizike dhe shokë të mirë bojaxhinj, muratorë etj., të cilët më marrin si ndihmës herë pas here.
Shokët e mi të sportit sot janë deputetë, (nuk dua tu them emrat për punë reklame) po nuk e kuptoj se si nuk e ngrenë një herë zërin për ne ish sportistat. Zihen si qentë me njëri tjetrin për pushtet, ndërsa për ne nuk thonë asgjë. Asnjë fjalë. Shkoj i takoj ndonjëherë, por gjërat janë ndarë tani. Shumë herë e vras mendjen dhe i them vetes po të isha në vendin e tyre cdo bëja? Një zë brenda vetes më flet e më thotë s’mund të jesh Gëzim se ti je i ndershëm, nuk bëhesh dot maskara.”

************************

Image may contain: one or more people, outdoor and nature

“Babi, babi fituam, na e morën të keqen plehrat”- më thërriste djali duke vrapuar drejt meje gjithë gëzim. U rrita në një familje ku kryefjala ishte puna, im atë na këshillonte çdo natë që bukën duhet ta nxirrnim me djersë dhe që puna ia zbardh faqen njeriut. Kisha shumë dëshirë të punoja në tokat e mia që në adoleshencë, por nuk kishim mundësi ekonomike të investonim në to. Pasi mbusha 18 vjeç punova disa vjet si bojaxhi, murator, pllakashtrues etj, në fakt më tepër se sa më pëqenin këto zanate, doja të kurseja lek për ti investuar në bujqësi. Përpiqesha shumë, por nuk po ia dilja të kurseja mjaftueshëm. U nisa në emigrim me synimin e qartë për tu kthyer e për të bërë diçka në tokat e mia. Ashtu bëra, pas 3 vjetësh në Itali dhe duke bërë punë të ndryshme, kurseva aq sa më duheshin. U ktheva në Shqipëri dhe të gjitha kursimet i investova te tokat. Sikur mos të mjaftonte mungesa e tregut, subvencioneve dhe një mijë vështirësi të tjera, shteti donte të na ndërtonte dhe një impjant për djegjen e plehrave në Verri. Tëna helmonte tokën, ujin dhe ajrin. Të na dënonte me vdekje.U ngritëm fshatëshe që ditën e parë, pasi e dinim që bujqësia në atë zonë do varrosej dhe në fshat do mbillej veç sëmundje dhe vdekje. Na bënë presion, na arrestuan, na përndoqën por ne nuk u dorëzuam. Ashtu, fshatëshe vazhduam nga dita e parë deri në ditën e fundit duke luftuar për jetën tonë. Më në fund ia dolëm, është i papërshkrueshëm gëzimi që përjetova kur djali vraponte të më jepte lajmin. Mora dhe një lumë telefonatash “Nardi, fituam vlla, do jetojmë të qetë”. Sepse gjithë ajo luftë për 2 muaj me radhë ishte për të fituar të drejtën e jetës, për të na lënë të punojmë e të jetojmë të qetë. Vetëm për kaq. Sepse toka është bekim e askush nuk ka të drejtë të na e kthejë në mallkim.”

*****************************

Image may contain: one or more people, drink and indoor

“Nuk e di nëse katragjyshi im në 1865 kur filloi zanatin e orëndreqësit me “Sahatçi Tufina” mendonte që ky zanat do përcillej brez pas brezi deri tek unë, por për një gjë jam i bindur, që do ishte shumë krenar të më shihte duke rregulluar këto ora. Megjithëse fillova fakultetin e Gjeologji- Minierave vitin 1988 mendja më rrinte te orat dhe tradita familjare. Në shtëpi im atë më mësonte gjithcka rreth orave dhe sa më shumë mësoja rreth tyre, aq më shume apasionohesha. Mes tundimit e vazhdimit të shkollës dhe zanatit gjatë lëvizjes studentore të vitit 1990 zgjodha zanatin. Fillimisht në shtet në atë kohë dhe në vitin 1992 hapa aktivitetin tim privat. Jam vërtet krenar që kam zgjedhur një zanat të cilin e trashëgoj prej disa brezash. Ndoshta nuk është një zanat me të cilin në ditët e sotme mund të fitosh shumë të ardhura, por është një zanat i bukur, një zanat me të cilin jo vetëm ruaj traditën familjare, por me të cilin mund të jetoj i qetë dhe i nderuar nga njerëzit që më rrethojnë. Sfida ime është që jo vetëm t’ia jap zanatin djalit tim, por që të bind atë që t’ia mësojë djalit të tij. Sepse kjo pune me ka mesuar dicka te rendesishme. Qe nje ore te jete perfekte, duhet qe te gjitha ingranazhet te bejne punen e tyre. Si ato te medhate, edhe ato me te voglat. Fatkeqesisht ne vendin tone, ingranazhet e vogla levizin, por ato te medhate na jane ndryshkur. Ne mendojme se jane prej floriri, por ne te vertete jane ndryshkur. Prandaj na mbet ora here mbas here 🙂. E prandaj nje zanat per tim bir, e quaj pasuri. Sido qe te rrokulliset jeta ne kete vend, oren te gjithe do duan ta kene ne dore dhe heret a vone do prishet dhe do trokasin ketu.”

 **************************
Image may contain: 1 person, sitting

“Më vjen keq Hysni s’mund të të rregjistrojmë në këtë gjimnaz”- ishin këto fjalët sekretares së gjimnazit “Partizani” përpara 18 viteve, pasi mesatarja ime e shkollës 8 vjecare ishte e ulët. Një moment mendova se më ra qielli mbi kokë, kur shihja shokët e mi që rregjistroheshin në gjimnaz. Mes dhimbjes dhe inatit (me veten që nuk kisha mësuar në shkollë) nuk doja të kthehesha në shtëpi atë ditë. Më dukej sikur kisha dështuar dhe humbur gjithëçka në jetë. Pas disa orësh endjesh nëpër Tiranë e vendosa: nuk kthehem në shtëpi pa gjetur një punë. Duke pyetur në cdo biznes të mundshëm në Tiranë për orë e orë të tëra, më në fund një firmë që shiste motorra të vegjël pranoi të më punësonte si ndihmës. Punova 3 vjet aty dhe ishte ajo punë që më bëri të zbuloj pasionin tim për mekanikën she motorrat. Ishte pikërisht ky pasion që më shtyu të ndërroja punë dhe të shkoja në një servis ku rregulloheshin motorrat. Për 10 vite me radhë rregulloja motorra aty, ndjeja se si ata punonin, se motorrat janë si njerëzit, kur u dhëmb diçka ata rënkojnë dhe kur ti i rregullon ata qeshin.
Ndërkohë kishte ardhur dhe liberalizimi i vizave, shumë miq jashtë shtetit mq kishin bërë fushë me lule emigrimin. Thashë ta provoj një herë dhe une. Pas 3 muajve në Greqi, punën në Shqipëri e kisha humbur dhe atje nuk po arrija të stabilizohesha. Duke e patur shumë frikë ligjin u ktheva prapë, sepse pasaporta do më digjej. Duhet t’ia nisja nga e para, nje zanat e kisha, pa bukë nuk do rrija. Mes vështirësive të fillimit hapa këtë pikën ku rregulloj motorra. E që prej asaj dite nuk i jam ndarë kësaj pune. Edhe pse është një punë që shërbimi më i madh që mund t’i bëj motorrit kushton 20 mijë lek të vjetra, unë nuk do i ndahem. E vetmja dëshirë që kam në jetë është që të paktën njëri prej djemve të mi të vegjël të ketë dëshirë të mësojnë këtë zanat, pasi kështu do jem i sigurt që nuk ka për të ngelur kurrë pa bukë dhe do jetojë me nder.”

Advertisements

Leave a Reply