Njëmbëdhjetë minuta e dyzetë sekonda nuk janë mjaftueshëm.

No comments

Nga Av. Adriatik Lapaj

Njëmbëdhjetë minuta e dyzetë sekonda arriti populli te flasi sot ne Parlament dhe entuziasmoi shumicën dërrmuese të rrjeteve sociale. Ishin vetëm 11 minuta e 40 sekonda munges vigjilence dhe dalje nga skenografia e teatrit politik dhe mjaftuan për të shkaktuar tërmet në rrjet. Vetëm 11 minuta e 40 sekonda ju deshën një njeriu të shkolluar, punëtor dhe të pakapur nga politika e kalbur për të bërë dallimin mes KËNETËS dhe DRITËS.

Të jem i sinqertë fjalimi i Rigerta Lokut nuk ishte politikisht brilant por ishte shpirtërisht brilant. Shume do thonë e cfarë ndryshimi ka mes foltores së Parlamentit dhe asaj që themi cdo ditë në tavolinat tona të kafes, punës, në stacionet e autobuzit apo tregjet e zhulit, në radhët e librave apo radhët e pensionit, në sheshet e protestave apo qelitë e paraburgimit kur shoqërohen aktivistët.

Në fakt gjërat marrin peshë kur thuhen në vendin e duhur dhe vendi i duhur për të ulëritur problemet, hallet, vuajtjet e shoqërisë, popullit është pikërisht ajo sallë ku merren vendimet dhe ku hallet mund të marrin zgjidhje. Ne jemi dëshmitarë të shterpësisë së asaj salle e cila prodhon lloje soje debatesh shterpë, lloje soje teatrosh, lloje soje komedish dhe tragjikomedish. Jemi deshmitarë se si aty flitet për cdo gjë por kurrë për punësimin, flitet për cdo gjë por kurrë për subvencionet në bujqësi, flitet për cdo gjë por kurrë për ujin, për cdo gjë por kurrë për ilacet, kurrë për barrën e rëndë fiskale, kurrë për një urë që mungon, një ujësjellës që duhet ndërtuar apo një kaldajë shkolle që duhet blerë.

E pra shterpësia e asaj salle na është imponuar si realitet sepse ajo ka qënë monopol i një niveli mediokër njerëzish që rëndom këtu i quajmë “Deputet”, subjekte që janë numra pasi dhe ata pak që kanë përfaqësuar vlera nuk kanë gjetur guximin të vendosin gishtin në plagë e të flasin, të bërtasin, të ulërasin e të thonë se si është halli, problemi dhe realiteti. Sot në një aktivitet me fermerët e blegtorët nuk u’a preu mendja se ndër ta ishte dhe një vajzë e mirëshkolluar që nga diplomimi në La Sapienzza në Romë ishte rikthyer në Shqipëri e ndërmjet servilizimit dhe endjes andej këndej pas këllirave politike dhe vetëpunësimit zgjodhi këtë të dytin.

Zgjodhi të mbarështonte dhi, të kthehej në blegtore. Po ta dëgjosh me vëmendje Rigerta në fjalën e saj nuk është se thotë gjëra që nuk thuhen përditë në cdo ambjent në Shqipëri, madje ajo foli për gjëra bazike elementare të tipit “ Fshati do ujë dhe rrugë….fshati do ujë, rrugë, shkolla….ujë, rrugë, shkolla dhe qendra shëndetësore efikase…..ujë rrugë, shkolla, qendra shëndetësore miq e shokë”. Pra ajo tha gjëra që cdo ditë i themi, këtu nuk kishte gjë të re por vendi nga ku u kumbuan ato fjalë ishte e reja. Ishte pikërisht foltorja e Parlamentit vendi që i jepte peshë atyre fjalëve që përmblidhnin në një fjali me disa presje kërkesat bazike të një shoqërie që ka uji sa gjithë Ballkani por thahet për uji në rubineta dhe në fusha, të një vendi që nuk ka asnjë pëllëmbë tokë shkretëtirë por që nuk arrin të ushqejë vetë veten, të një vendi që ka fushën e dytë më të madhe naftëmbajtëse në Europë por që nuk siguron dot as garza për të sëmurët në spitale, të një vendi që nuk përpunon dot plehrat e veta e që nga ana tjetër do të sjelli edhe plehrat e vendeve të tjera këtu.

Rigerta sot pushtoi rrjetet sociale pasi qytetarët kuptuan cfarë ajo tha, pra ajo foli si qytetarët për hallet që ne kemi cdo ditë. Rigerta sot arriti të shfrytëzoj 11 minuta e 40 sekonda që ju dhanë për të kumbuar aty fjalët dhe kërkesat më të thjeshta por që kurrë nuk ishin kumbuar. Fjala e saj nuk do mbahet mënd për nivelin e lartë të fjalëve por për shijen që ato fjalë lënë kur dalin nga shpirti nga foltorja e Parlamentit. Sot më shumë se cdo gjë më pëlqeu subkoshienca e popullit tim…popo e popullit tonë që në përditshmëri e shohim të bëhet pjesë e këtij realiteti të shëmtuar që i është imponuar me regji qendrore nga një klasë politike që e ka marrë peng. Sot populli jonë u atashua me të mirën, me shpirtin, me thjeshtësinë. Ja pra që nuk ka vetëm gango, ja pra që nuk ka pse të jemi të detyruar të shohim batakcinj nga ajo sallë, ja pra që e mira shijoka më shumë.

Tani mendojeni pak për një cast sikur Rigerta të ishte pjesë e Parlamentit, mendoje pak sikur Rigerta t’u fliste 139 kolegëve të tjerë që kishin të njëjtën ndjesi, dridhje zëri dhe emocion kur flisnin për hallet në emër të popullit. Mendoni pak si do ndiheshit nëse do dëgjonit në fjalimet e përfaqësuesve tuaj për moral dhe vlera. Mendojeni sikur fuqinë këtej e tutje t’ia japim vlerave..dhe këdo që devijon ta flaknim tutje. Mendojini dhe vendosni a ja vlen të rrim peng i servilëve dhe atyre që flasin për cdo gjë por vetëm për popullin dhe problematikat e përditëshme jo.

Ju lutem nuk ka asnjë vlerë ky solidarizimi sot nëse nuk vendosim ta kthejmë në sistem këtë sjellje, nëse nuk vendosim ta rimarrim atë sallë dhe atë foltore. Kur për 11 minuta e 40 sekonda e rimori Rigerta e vetme, bashkë mund ta rimarrim njëherë e mirë. MOS E HARRONI QE NE FUND SHALESI DUARTROKITI, PER ATA JEMI PJESE E TEATRIT.

 

Type a message…

 

Top of Form

 

Bottom of Form

 

Advertisements

Leave a Reply