Një shtet “i ngelur në derë”

No comments

Nga Flogerta Krypi

Nëse shteti ynë do të ishte njeri, unë do e imagjinoja si një vajzë 26 – të vjeçare, që vjen nga një familje tradicionale shqiptare dhe ka “ngelur në derë”. Është e bukur, deri diku e virgjër, inteligjente e megjithatë e ngathët. Ka një fiksim shumë të madh të ndjekurit telenovela turke, meksikane dhe indiane e të besojë se jeta është e tillë. Pasi ka pritur 100 – të vite që nga rënia në gjumë, një princ nga Europa, mundësisht gjerman, do të vijë ta puthë dhe do martohen për të jetuar të lumtur përgjithmonë. E megjithatë ndonjë shtrigë plakë andej nga Turqia i ka bërë magji për 500 – të vite me rradhë dhe ndaj nuk po shpëton dot nga e keqja. Ndaj kjo vajzë e gjorë 26 – të vjeçare ka ngelur në derë dhe jo vetëm duhet të luftojë një farefis (rracë e quaj unë) të prapambetur, por duhet dhe të luftojë me veten, për të gjetur se çfarë kërkon nga jeta.
Kësaj vajzë të gjorë në çdo pesë vite i ndryshohet emri. Një nga antarët e rracës i vendos një emër dhe të gjithë e ndjekin. Vajza bën sikur rebelohet, pastaj shkon në dhomën e saj, mbyll derën me çelës dhe tek shikon dritaret me hekur thotë me vete “Sa idiotë që janë. Unë nuk kam emër. E për çfarë më duhet emri? Unë jam e lirë. Unë ha dhe pi çfarë të dua. Të tjerët mendojnë për fatin tim, ndërkohë që unë bëj qejfet e mia dhe kështu nuk kam asnjë problem”. Ajo shikon tek njerëzit e saj poshtë kullës me gurë rrihen për të zbuluar arsyen pse ajo ka ngelur në derë dhe fillon dhe krihet. Kjo vajzë e gjorë që ka duart e një piktori, mendjen e një mjeku, inteligjencën e një filozofi dhe arsimin e një biondeje, paragjykohet gjatë gjithë kohës, për cektësinë e saj modeste. Si mund të martohej ajo me një burrë me duar të mëdha e të pista? Si mund të flerë ajo me një drogaxhi (përshembull) kur ajo akoma nuk e ka njohur mirë veten?
Nën këto dilema të mëdha humane kjo vajzë e ngelur në derë bën vashdimisht tentativa t’i mbushë mendjen të atit se ka mendjen e një gruaje, por trupin e një virgjëreshe dhe për këtë arsye princi i premtuar nuk ka ardhur akoma. Dhe ajo pret derisa njeriu i duhur të vijë për të bërë dasmën më madhështore që ka ndodhur ndonjëherë në vend. Ajo do merret me të gjitha. Deri tek vendosjen e shtyllave për të mbajtur dritat do e krijojë vetë. Kur ai fillon dhe e sulmon apo e tall, ajo i hakërrehet duke i thënë se nuk do rrijë e mbyllur gjithë jetën në këtë kullë. Një burrë do vijë ta shpëtojë. Dhe ajo do të jetë e lumtur. E megjithatë dhe pse ka çdo mundësi të fitojë vetë lirinë, ajo pret një burrë që të mos quhet më një grua e ngelur në derë, e për këtë arsye ajo pret në dritare e jo në prag të derës se është fat i keq. E tek pret fillon dhe thotë me zë të lartë për përralllën e saj. Sa fëmijë do të ketë, sa të sigurtë dhe të fortë do të jenë ata dhe më e rëndësishmia sa nënë e mirë do të jetë ajo. Por thuajse gjithmonë e zë gjumi pa arritur ende në gjysëm të përrallës. E kështu kjo vajzë e gjorë e ngelur në derë pret për natën tjetër duke thurur shalle si Penelopa me bindjen se një ditë Odiseja do të vijë.

Leave a Reply