Ne, frikacakët.

No comments

Nga Ferat Mekshi
Të gjithë e dimë që Shqipëria jonë ka një mijë e një probleme saqë të gjithë ankohemi ku të mundim edhe si të mundim. E nisim të ankohemi kur kuptojmë se energjia është rritur, taksat gjithashtu, çmimi i ujit etj por që shërbimet asnjëherë nuk janë përmirësuar. Uji vazhdon të vijë kur të dojë dhe bie erë teksa dritat vazhdojnë të ikin edhe natën e Vitit të Ri. Në kafene diskutojmë cila parti  vjedh më shumë e më pas pyesim me gjysëm zëri se a do të bëhet ky vend?!
Ankohemi edhe në rrugë kur shohim që balta dhe gropat na gërryejnë këpucët që i kemi blerë te “Gabi”, apo kur dëmtojmë amotizatorët apo motorin e makinës me naftën e qelbur por të blerë sa një pulë frënge. Pra ne ankohemi mes gjithësececilit për hallet tona por asnjëherë atje ku duhet. Unë i them shokut se isha në “Spital” , por s’të jep kurën e duhur doktori po s’i fute një 10-she. Ndërsa shoku më thotë që çdo nënpunës do ndonjë “lek” ekstra që të bëjë punën që i takon të bëjë. Ankohemi për çmimin e naftës, për arsmin që e kemi copë copë, për papunësinë mbi të gjitha. E dimë mjaft mirë se çfarë nuk shkon në këtë vend, me këtë politikë që po të mundje t’i vije flakën nuk do e mendoje dy herë, por e vërteta është se ne Shqiptarët, si rregull,  jemi rritur me frikë.
Kanë mbjellë farat e frikës dhe ne vetëm frikë korrim. Frikë në të kaluarën, frikë në të tashmen, frikë për të ardhmen. Frika si term, është një emocion normal që njihet nga të gjithë qeniet e gjall. Ky emocion mund të shkaktojë dëme të paparashikueshme, efekti i të cilave mbetet gjithë jetën. Në kohën e kurvit të gjithë kishin frikë të kërkonin të drejtat e tyre. Nuk ankohej ndonjë për varfërinë , për sistemin shëndetësor, për sistemim arsimor, për infrastrukturën etj. Nuk ankoheshin sepse kishin frikë.
Edhe sot e njëjta gjë.
Qytetari ka frikë të kërkojë atë që i përket. Nuk ngrihet në protestë se ka frikë se I ngelin çunin në shkollë, e heqin nga puna, i heqin asistencën, nuk e kurojnë në spital, nuk i japin pensionin, nuk i hapin dyert e shtetit. 
Kemi frikë të ushqehemi nga produktet të rritura me hormone sepse nuk ka “shtet” t’i kontrollojë. Kemi frikë ti kërkojmë shtetit ti kontrollojë.
Kemi frikë të mbushim makinën me naftë, kemi frikë të ankohemi.
Kemi frikë të kërkojmë një dokument në zyrat e shtetit sepse duan para, kemi frikë të protestojmë kundër korrupsionit.
Kështu janë rritur prindërit tanë, me frikën se do pushkatoheshin apo do burgoseshin po të thonin një gjysëm fjale. Edhe ashtu siç frika ka zënë rrënjë në qënien e tyre, ashtu edhe për ne. Me frikë na kanë rritur, me frikë na qeverisin. Ndoshta kjo është arsyeja që ne si shoqëri kemi ngelur vendnumëro. Sepse kemi frikë nga politika ndërkohë që politika duhet të këtë frikë nga Ne. Sepse ne jemi shefat e ata shërbëtorët. Ne jemi shumë ata shumë pak. Ne jemi të palodhur ata thjesht të pangopur. S’më mbetet të shtoj asnjë fjali më shumë sesa “kur frikën t’a mposhtim do j’a kemi dalë”.

 15894391_543981062477733_7475738080769027870_n

Leave a Reply