Mbi heronjtë, maskarenjtë dhe horrat!

No comments

Nga Ferat Mekshi
Më kujtohet një thënie e një politikani Shqiptar teksa u thoshte të rinjve: -Nëse nuk merreni me Politikë, do të merret politika me ju.
Isha i ri, sapo kisha filluar studimet dhe dëshira për të bërë diçka për vendin tim, fillonte nga pjesëmarrja në politikë. E kisha sfiduar veten t’i qëndroja larg dhe të mos përfshihesha asnjëherë në politikë. Fill një vit më parë, më erdhi ndermend ajo thënia e atij politikanit, “Nëse nuk merresh me politikë do të merret politika me ty”. Vendosa më shumë se kurrë, pse jo, të anëtarësohem në politikë për të bërë diçka për vendin tim. Merrja pjesë në protesta, ngrija zërin, por fill pas herës së parë u sulmova familjarisht. Babait tim të papunë , I hoqën ndihmën sociale sepse biri i tij, fill pasi mbaroi turnin e tretë si kamarier ,do të mbante një fjalim në shesh për drogën, lirinë që se kemi dhe mundësitë që i vrasim dita-ditës. Por përsëri, mendoja se forca për të vazhduar ishte më e madhe se dëshira për t’u dorëzuar. Por asnjëherë nuk ndjeja se po bëja diçka për vendin tim teksa partia që unë mendoja se ja vlente të jepja energjitë e mia bënte dhe bëjnë pazare në kurriz të Shqiptarëve. Asnjëherë nuk do t’a pranoja këtë. Dhe asnjëherë nuk mund t’ja lejoj vetes të jem pjesë përderisa militarizmi është forca e pushtetit.

Por ka kaq shumë të rinj, që sot po japin gjithë fuqitë e tyre në politikë. Dhe vërtet, të rinjtë e ç’do force politike, ç’do lëvizjeje politike, ç’do lëvizjeje shoqërore apo organizate janë e ardhmja e shoqërisë. Por cilët të rinj? Ata që zgjedhin partinë përpara ç’do shoqërie? Epo, asnjëherë këta s’do të jenë e ardhmja. Sot një i njohuri im është Ministër sepse ai dërgonte gjithmonë autobuzë me militantë në ç’do protestë. Mirë, ky u bë ministër, po këta pasagjerët protestues çfarë të mire morën? Asgjë!
Sot një i njohuri im është kryetar bashkie sepse mblidhte gjithë anëtarët nëpër fshatra dhe i dërgonte në protestë. Mirë, ky kryetar me rrogë dhe jetë plot lumturi, po këta anëtarët këtej nëpër fshatra çbënë tjetër vecse të punojnë si skllevër në tokat e tyre prodhuese? Asgjë pra!
Doganier është bërë një i njohur tjetër që dikur shpërndante paratë e votave në fushatë. Ai bëhet Doganier, Shef administrate, Drejtor, përfitues fondesh, por këta që shitën votën, çfarë përfituan? Pak mish ditën e diel e pastaj asgjë!
E njejta gjë, po ndodh dhe do të ndodhë. Nesër të rinjtë e PD-së që unë I kam miq disa të shumtë, do bëjnë të njejtën gjë. Do gjejnë njerëz, do mbushin sheshin siç bëhet gjthnjë dhe Kryetarit do t’i bëhet qejfi. Do shihen listat dhe kush ka bërë organizim do marrë meritat kur të arrijnë në pushtet. Dhe më vjen të acarohem, të shaj, të nervozohem. Me veten time. Ah, si s’mund ta bëj diçka të tillë. Si s’mund të kem një forcë për ta ndaluar këtë çmendinë.
Por sot më shumë se kurrë kam një mesazh për të dhënë. Për të gjithë të rinjtë. Shkoni në protesta, por jo nën siglën e një partie. Nuk mund të behemi gjakpirës duke zgjedhur partinë përpara Shqipërisë. Jo vetëm ju. Por të gjithë të rinjtë. Nuk mund të shkojmë akoma në protesta dhe atje dikush, një tip kushedi ç’lloj servili është, do thërrasë gjithë kohës “Rroftë Lulzim Basha”, rroftë Partia Demokratike.
Shqiptarët, sidmos të rinjtë nuk I kanë asnjë borxh asnjë force politike. As Edi Ramës, as Lulzim Bashës. Opozita po bën opozitë sipërfaqësore dhe pazare në kurriz të Shqiptarëve. Dhe ju , s’po bëni gjë tjetër,vecse po ktheheni në vegla të politikës. Nëse Partia organizon protestë dhe ju e mbushni sheshin, s’jeni më e ardhmja. Harrojeni. Nëse dilni e mbushni sheshet pa sigla partie, ashtu të lirë , duke zgjedhur Shqipërinë përpara Partisë, do jepja gjithë fuqitë e mia për ju. Këtë duhet të bëni, këtë do t’a bëja edhe une. Si i ri, kam një mesazh. Për të gjithë të rinjtë, që nesër do jenë në protestë për llogari të partisë. Ju jeni e ardhmja, njëjtë si minstrat e sotëm, njëjtë si deputetët e sotëm, njëjtë si administrata militantiste që të gjitha po i paguan shoqëria Shqiptare në gjëndjen që ajo ndodhet. Nëse sot asgjë më nuk shkon në këtë vend, as nesër nuk ka për të shkuar kur sheshet I mbushim vetëm për llogari të partisë. Hygo ka thënë “luftën e bëjnë heronjtë, e qeverisin maskarenjtë dhe përfitojnë horrat”. Përpara se të bëhemi heronj, le të sigurohemi se nuk do të qeverisin më maskarenj dhe nuk do të përfitojnë më horrat!

Advertisements

Leave a Reply