Kujdes me qytetarët Edi Rama!

No comments

Nga Av. Adriatik Lapaj

Kryeministri i vendit i etiketoi “barbarë” qytetarët e revoltuar të Kukësit, i akuzoi se prishën pronën publike, se dhunuan policinë dhe ligjin, ndërsa Ministri i Brendshëm u shpreh se persona me rrezikshmëri kriminale ishin shkaku i asaj që ndodhi. Le ti marrim me radhë:

1- Nëse pronë publike quan kioskat që ndërtoi privati për të gjobitur banorët e Kukësit duke u krruajtur xhepat edhe për qindarkat duhet ta mësosh se publikja aty ishte dhe është Rruga. Publiken ju pa pyetur askënd e morët dhe i’a dhatë privatit madje dhe me garanci se në çdo rast do i rimbursohen nga buxheti shtetit deri në vlerën 8 milionë euro nëse nuk i’a del ti arkëtoj nga xhepat e varfër të kuksianëve.

2- I akuzuat se dhunan policinë dhe ligjin. Në fakt misioni kushtetues i policisë është të mbrojë jetën dhe pronën e qytetarëve pa bërë dallim apo diskriminim për gjendjen ekonomike, besimin fetar, ngjyrën apo përkatësin. Nga sa u duk policia mbajti anë, u kujdes të mbronte pronën e oligarkut duke shkrehur në kërbac qytetarin të cilit i ka vajtur thika në kockë. Pra qytetarët paguajnë të ndërtohet rruga, paguajnë që të vishet policia, të marrë rrogat, të blej shkopin e gomës dhe gazin lotsjellës dhe në fund policia përdoret që të garantoj padrejtësinë që i bëhet qytetarit nën emrin e ligjit duke i’a dhënë rrugën e ndërtuar me lekët publike një privati.

3- Sa i takon elementeve kriminale, nuk e dimë ku kishte më shumë, aty në rrugë me gure në dorë apo zyrave të shtetit me stilolaps në dorë të gatshëm ti zhvasin edhe shpirtin shqiptarit. Nuk e dimë kush është më e rëndë, vjedhja në emër të ligjit e duke u fshehur pas tij apo thyerja e makineris së vjedhjes me gure revolte që dalin si klithmë vuajtje.

Edhe të lutem nëse keni lënë njerëz të inkriminuar rrugëve ne u kemi paguar për ti kapur, paaftësi e madhe kjo.

Kush mendon se në emër të ligjit mund të zhysë në mjerim popullin e vetë, historia na ka mësuar se edhe të pushkatuarit e 45 viteve komunizëm u vranë bazuar në ligj por ato kohë ikën. Ligji kur sanksionon padrejtësinë e humbet legjitimitetin e vetë.

Mësoje mirë zotëri, çdo qytetar i këtij kombi do shumë të mirëmbahen rrugët, do shumë të bëhen më të mira, kemi kontribuar dhe jemi të gatshëm ta bëjmë gjithmonë por jo të na vidhni. Përmes taksës së karbonit dhe asaj të qarkullimit shqiptarët paguajnë 324 lekë për çdo litër naftë dhe mbi 50 mijë lekë kur koalidojnë makinën që në total janë mbi 150 milionë euro në vit. KU SHKOJNË? Prapë të paguajmë për të njëjtën gjë? Ose hiq ato që paguajmë sot dhe të bëhen rrugët me pagesë (vlera objektive) ose mos na lodh shumë se nuk ta kemi borxh.

E kemi parë sa i keni dëgjuar njerëzit kur flasin me qetësi, e kemi parë me banorët e fshatit Vërri të cilët kanë 12 muaj që protestojnë dhe ju as e prishët fare terezin.

Dëgjojini qytetarët dhe nuk del kush me gure në dorë! Mos u tallni me qytetarët! Lerini epitetet për qytetarët! Mos i nënçmoni qytetarët! Mos i vidhni qytetarët!

Na ler rehat o burr se po e tepron…na ler të jetojmë.

Advertisements

Leave a Reply