Konsulenti i huaj kërkoi pagesë 1 euro për Rrugën e Kombit. Qeveria e pesëfishoi!

No comments

Tarifa e kalimit që qeveria ka vendosur mbi rrugën Durrës-Kukës është deri në 4 herë më e lartë se sa çmimi i rekomanduar nga kompania konsulente.

Top Channel publikon raportin konfidencial të kompanisë Egnantia Odhos, që qeveria shqiptare pajtoi për bërë strategjinë mbi tarifimin e rrugëve në Shqipëri.

Raporti i është dorëzuar ministrisë së transporteve në gusht të vitit 2015. Në dokument kompania ka përpiluar listën e akseve të mundshme që mund të bëhen me pagesë dhe çmimet që duhet të paguajnë qytetarët.

Sipas raportit, cmimi maksimal i përballueshëm nga familjet shqiptare është 3.5 euro për 100 kilometër. Por ky është tavani më i lartë i mundshëm. Ndërsa tarifa optimale e rekomanduar nga konsulenti është 1 deri në 2.5 euro për 100 kilometra. Sipas raportit kjo është tarifa më e përballueshme nga familjet shqiptare, e cila jo vetëm përcakton një kosto të drejtë, por edhe zbut efektet sociale nga taksa e rrugës.

Por cfarë vendosi qeveria? Koncesioni i rrugës së kombit nuk përfshin të gjithë rrugën Durrës Kukës. Konsorciumi i kompanive “Kastrati” dhe “Salillari” do të mirëmbajë vetëm segmentin nga Miloti në Morinë, ndërsa pjesa tjetër do të mirëmbahet me paratë e buxhetit që paguhen po nga qytetarët. Segmenti Milot-Morinë është 118 kilometër i gjatë dhe sa herë që qytetarët do të kalojnë në të me autoveturë ata do të paguajnë 5 euro tek koncesionari privat. E thënë ndryshe tarifa e kalimit në rrugën Milot Morinë është 4.2 euro për 100 kilometër ose 2 deri në 4 herë më e lartë nga ajo që rekomandoi konsulenti privat.

Por fatura nuk mbaron me kaq. Përtej pagesave direkte, qytetarët do ta paguajnë koncesionarin edhe nga buxheti. Qeveria shqiptare i ka garantuar koncesionarit privat të paktën 7.9 milionë euro të ardhura në vit. Nëse koncesionari mbledh më pak nga pagesat, atëherë qeveria do i paguajë diferencën nga buxheti I shtetit.
Vendosja e tarifës së kalimit në rrugën Milot-Morinë përbën një situatë paradoksale. Kompania konsulente, edhe pse nuk e ka për detyrë, është kujdesur të mbajë parasysh edhe interesin publik, ndërsa qeveria, ajo që duhet të mbronte interesin publik, në këtë rast duket se ka mbrojtur të tjera interesa duke u vënë qytetarëve një taksë 4 herë më të rëndë nga niveli i rekomanduar.
taksa-durres-kukes.jpg

Advertisements

Leave a Reply