I urrej indiferentët!

No comments

I urrej indiferentët e besoj, si Friedrich Hebbel, që « të jetosh, do të thotë të jesh partizan» e që njerëzit e ndarë nga qytetërimi nuk mund të ekzistojnë. Kush jeton me të vërtetë nuk mundet të mos ketë qytetari dhe as të veçohet. Indiferenca është plogështi, parazitizëm e mungesë burrërie. Indiferenca nuk është jetë e për këtë unë i përbuz indiferentët.

Indiferenca është pesha e vdekur e Historisë, është goditje plumbi për novatorin, është materia inerte që fundos shpesh entuziazmet më të ndritura në moçalet e kufomave të qytetërimit të vjetër, të cilin e ruan më mirë se sa muret e fortesave, më mirë se sa gjoksi i luftëtarëve të saj, mbasi ajo gëlltit trimat në thellësitë e tokës së etur, i dekurajon dhe ndonjeherë i bën edhe të tërhiqen nga ndërmarrja e tyre heroike. Indiferenca vepron fuqishëm në Histori. Ajo vepron në mënyre pasive, por ajo vepron. Ajo është fataliteti. Ajo është e tillë që të lë pa mbështetje. Ajo është e tillë, që të ç’ organizon programet, t’i përmbys planet e ndërtuara më së miri; është materia e papërpunuar që rebelohet me inteligjencën dhe e ndrydh atë. E keqja më e madhe që buron prej saj është se në vënd që të ketë përfitim nga një akt me vlera të mëdha për njerëzimin, ka humbje, për shkak të indiferencës së një grupi qe vepron me mospjesëmarrjen e tij, me mungesën e tij numerike …

Ajo çfarë ndodh, nuk ndodh për shkak të një numri njerëzish që shpreson që kjo të ndodhë, por për shkak të kësaj mase që ligështohet e heq dorë nga vullneti, që veçohet e i lë gjërat në dorë të fatit, që tërhiqet dhe lejon të lidhen të tilla nyje, që vetëm shpata mund ti shbëjë, që lejon shpalljen e ligjeve që mund t’i shfuqizojë vetëm rebelimi, që lejon të mbrrijnë në pushtet të tillë njerëz që vetëm një kryengritje mund t’i përmbysë. Fataliteti që duket sikur dominon Historinë, nuk është asgjë tjetër vetëm se pamja e gënjeshtërt e kësaj indiference, e kësaj mungese.

Shumë prapaskena gatuhen në hije. Një numër i vogël njerëzish mund të veprojë jashtë normave të kontrollit, duke ndryshuar strukturën e jetës së komunitetit, në nje kohë që masa tjetër e injoron këtë veprim dhe as që e vret mëndjen të lodhet për një gjë të tillë. Fatet e një brezi mund të manipulohen për shkak të vizioneve dhe koncepteve të kufizuara, qëllimeve të çastit apo ambicieve dhe pasioneve vetiake të një grupi të vogël njerëzish, në një kohë që masa tjetër i injoron ato e as do t’ja dijë për pasojat. Por e keqja është se faktet dalin në skenë pasi janë pjekur dhe vetëm atëhere, kur pëlhura e endur në hije është përfunduar… e pastaj duket sikur është fataliteti ai që shkatërron gjithçka dhe të gjithë, duket sikur Historia nuk është gjë tjetër përveç se një fenomen i jashtëzakonshëm natyror brënda të cilit ne jemi të gjithë viktima, dashje pa dashje, me ose pa dëshirën tonë, me ose pa dijeninë tonë, edhe nëse kemi vepruar apo kemi qënë indiferentë.

Dhe së fundi, kjo masë njerëzish inatoset, dëshiron të shpëtojë nga pasojat, duke kërkuar se kush është fajtori e duke i larguar përgjegjësitë nga vetvetja. Disa madje ankohen me devocion, të tjerë mallkojnë në mënyrë të turpshme, por asnjëri prej tyre nuk i bën pyetjen vetes: nëqoftëse do ta kisha kryer edhe unë detyrën time apo nëqoftëse do të kisha provuar ta pohoja dëshirën time, këshillën time, a do të kishte ndodhur vallë kjo që ndodhi ?

Por askush ose pak njerëz mund të fajësojnë veten se kjo ndodhi për shkak të indiferencës së tyre, skepticizmit të tyre, apo pse ata nuk ja dhanë ndihmën në kohën e duhur atij grupi me ndjenjë të lartë qytetarie që, me të drejtë, për të eviruar të keqen propozoi të luftonte për të fituar drejtësia.

Pjesa më e madhe e tyre, përkundrazi, preferojnë të flasin për dështimin e idealeve, të programeve të shkatrruara përgjithmonë e banaliteteve të tjera të ngjashme me to. Ata rifillojnë kështu, t’i shmangen plotësisht përgjegjësisë. Dhe kjo nuk ndodh vetëm se ata nuk i shohin qartë gjërat ose nuk janë në gjendje të gjejnë zgjidhje për problemet më urgjente. Problemi është se këto zgjidhje mbesin gjithnjë shterpe dhe se kontributi i tyre në jetën e komunitetit nuk animohet nga asnjë ndjenjë morale ; ai është produkt i kuriozitetit intelektual dhe aspak një ndjenjë e fortë përgjegjësije historike, e cila duhet të na përfshijë të gjithëve e që nuk pranon as agnosticizëm e as indiferencë, e cilitdo lloji qoftë.

Unë i përbuz indiferentët edhe për arsyen se ankesat qaramane të këtyre « inocentëve të përjetshëm » më bezdisin. I kërkoj llogari sejcilit prej tyre për mënyrën se si e ka kryer detyrën ndaj jetës për atë që ajo i ka falur e i fal çdo ditë, për atë që kanë bërë e për atë që nuk kanë bërë. Dhe e ndjej për detyrë të mos kem mëshirë për ta e të mos i ndaj lotët e mija me të tyret.

Unë jam partizan ; jetoj e ndihem burrëror në ndërgjegjen time, mbasi luftoj për lumturinë e së ardhmes, të cilën e ndërton e gjithë qënia ime. Dhe brënda saj, zinxhiri social nuk bazohet në një numër të vogël elementesh; brënda saj, asgjë që ndodh nuk është rastësi apo fatalitetit, por është vepra inteligjente e një qytetari.

Ndergjegja ime nuk mund të pranojë asnjë njeri që qëndron në dritare e bën sehir gjatë kohës që një numër i vogël njerëzish sakrifikohen e derdhin gjakun në këtë sakrificë. Atë që mbetet në dritare vetëm për të parë, që e ka mbushur jetën vetëm me atë pak gjë që mund t’i ketë ofruar aktiviteti i tij personal dhe që e zbraz zhgënjimin e tij duke poshtëruar të sakrifikuarin, atë që është përgjakur, vetëm pse sakrifica e tjetrit nuk ja ka përmbushur synimet e tij, – atë nuk mund ta pranoj. Unë jetoj. Unë jam një partizan, një mbështetës. Për këtë arsye, i përbuz të gjithë ata që nuk marrin pjesë. Pra, i urrej indiferentët.

IMG_4455

“Bota e së ardhmes”

Antonio Gramsci

 

Advertisements

Leave a Reply