Erion ku shkuan lekët?

No comments

Nga Pano Soko

Në disa portale, të hënën qarkulloi një lajm në lidhje me një iniciativë të Bashkisë Tiranë për dhënien e administrimit të varrezave të dëshmorëve operatorëve privatë, nëpërmjet modelit të PPP-ve klasike, duke ngarkuar në faturat e ujit të qytetarëve një taksë të re të posaçme. Por një ditë më pas, ndoshta nisur dhe nga reaksioni i krijuar në publik, Bashkia e mohoi iniciativën dhe u kujdes ta servirte të gjithën si një sajesë të medias.

E gjithë kjo histori, në gjithë opinionin publik, shkaktoi shumë revoltë, por aspak habi. Të gjithë u revoltuan por askush nuk u habit. Sepse, e thënë më troç, askush nuk do të habitej edhe nëse e gjithë historia e konçesionimit të administrimit të varrezave të dëshmorëve do të kishte qënë e vërtetë, pasi ajo do të ishte thjesht copëza më e fundit e një modeli menaxhimi të shpenzimeve publike që bazohet tek konçesionimi dhe PPP-të, model i cili është konsoliduar tashmë në lidhje me administrimin e buxhetit të qytetit dhe që kundërmon abuzivizëm.

Paradoksi i modelit qëndron në faktin që Bashkia ndërkohë që rrit taksat për qytetarët dhe bizneset, duke rritur rrjedhimisht dhe të hyrat në buxhetin e saj, nga krahu tjetër, nëpërmjet skemave të partneritetit publik-privat, heq nga vetja kryerjen e një sërë shpenzimesh/investimesh që do të justifikonin lekët e taksave që mbledh, duke ua ngarkuar qytetarëve këto shpenzimë me taksa ekstra.

I ngjashëm me konçesionin e përfolur  të varrezave (që për fat të mirë nuk rezultoi i vërtetë-për momentin..), është dhe rasti i taksës së infrastrukturës arsimore, e cila është një taksë e veçantë që paguhet nga të gjithë qytetarët – të varfër, pensionistë, familje me ndihmë ekonomike, të papunë, etj. – për të krijuar fondin për ndërtimin e shkollave të reja. Dhe megjithëse çdo vit Bashkia grumbullon nga qytetarët dhe bizneset, jo pak, po rreth 6-7 milionë Euro si taksë për infrastrukturën arsimore, përsëri projekti i shkollave të reja do të kryehet nëpërmjet skemës së famshme të PPP-ve. Që do të thotë që administrata aktuale e Bashkisë, megjithëse është ajo që e mbledh taksën e shkollave, pagesën e ndërtimit të shkollave që do të bëhen me PPP, do t’ua kalojë administratave të Bashkive të ardhme që do të vijnë në zgjedhjet e viteve që vijnë.

Që të kuptojmë sa është amplifikuar abuzimi, duhet të shohim trajektoren e politikës financiare që është ndjekur në ndërtimin e shkollave të reja, në kohë. Ndërtimi i shkollave të reja më parë (për pjesën që merrnin përsipër Bashkitë) mbulohej plotësisht nga të ardhurat e taksave të përgjithshme të Bashkisë (taksat e përgjithshme janë taksat e vendosura me ligjin “Për Taksat Vendore”). Kur erdhi administrata aktuale e Bashkisë Tiranë, vendosi që ndërtimin e shkollave të mos t’i paguante më nga të ardhurat e taksave të përgjithshme të Bashkisë, por vendosi t’u vinte qytetarëve një taksë të re, ekstra, posaçerisht për këtë punë, taksën për infrastrukturën arsimore që e paguan çdo familje dhe biznes, sipas tarifave përkatëse. Por nuk u mjaftua me kaq!Bashkia  tani ka vendosur që të mos të paguajë fare për ndërtimin e shkollave, por t’i japë ato me konçesion tek konçesionari privat. Në këtë moment ka dhe një paradoks tjetër që ka lidhje me faktin se kujt do t’i rëndojë barra e pagesës së detyrimit të krijuar nga marrveshja konçesionare, pasi konçesionari do të paguhet për punën e tij, me këste, në vitet në vijim, nga administrata që do të dalin pas 2-3 zgjedhjeve të mëpasshme. Pjesa që i bie kësaj administrate të paguajë është diku tek 1/15 e vlerës së shkollës së ndërtuar (nëse shlyerja do të realizohet për 15 vjet, administratës aktuale dhe një vit i ka mbetur në detyrë). Gjithsesi, kjo është çështje tjetër

Që të kthehemi tek trajektorja e politikës financiare, nga që nuk paguanim as taksë, as konçesion, por çdo gjë e mbulonim me taksat e përgjithshme, tani paguajmë dhe një taksë të veçantë plus që dhe shkollat do të bëhen nga lekët e privatit konçesionar, me kosto disa fish nga vlera reale e ndërtimit (për shkak të përqindjes së fitimit të këtij të fundit).

Në këtë moment, shumë natyrshëm lind pyetja më e thjeshtë e mundshme: “Nëse shkollat do t’i ndërtojë konçesionari që do të paguhet më vonë, ku shkojnë lekët e taksës/taksave që ne paguajmë sot dhe kemi paguar dhe dje, të cilat na u tha se do të shkonin për ndërtimin e shkollave?”

I njëjti stil logjik është ndjekur dhe në rastin e rritjes së çmimit të ujit. Nga ana e Bashkisë u reklamua që nevojitej një rritje e çmimit të ujit për shkak të faktit se investimet e reja, (të cilat edhe sot e kësaj dite janë ende plane në letër), kërkonin më shumë kosto. Dhe për këtë arsye u vendos të rritej çmimi i ujit.

Tani, të gjithë që kuptojnë pak nga financa, e dinë që logjikisht duhet që rritja e çmimit të ujit (nëse ndonjëherë do të nevojitej vërtet një e tillë, të cilën unë e dyshoj…por kjo është çështje tjetër) të fillojë në momentin që fillon pagesa e kësteve të plota të kredisë që është  marrë për kryerjen e investimit. Pra, rritja e çmimit duhet të fillonte, minimalisht pas marrjes së kredisë, pasi atëhrë do të fillonte pagesa e kësteve të kredisë që ishte marrë, sepse e kundërta, nëse nuk ke marrë një kredi dhe nuk të duhet të bësh pagesa shtesë për këste kredie, s’ke arsye pse e rrit çmimin fare.

Megjithë mungesën e logjikës, Bashkia, për çudinë dhe me kundërshtimin e të gjithëve, vendosi ta rrisë çmimin që tani, kur nuk ka ende as një draft-projekt, pa diskutuar pastaj për ujësjellës e këste kredie që normalisht nuk ekzistojnë fare. Fakt është që sot që flasim qytetarët paguajnë ujin 45% më shtrenjtë, pavarësisht se shërbimi i furnizimit me ujë është po ai që ishte, për faqe të zezë. Dhe natyrisht dhe në këtë rast, pyetja që shtrohet natyrshëm është “Përderisa  Bashkia aktualisht nuk po shpenzon asnjë lek për investime në ujësjellës, lekët e çmimit të rritur të ujit ku shkojnë?”

Administrata aktuale e Bashkisë së Tiranës, me të ardhur në pushtet, gjëja e parë që bëri ishte rritja e taksave, me shtesë buxheti jo pak por rreth 30 milionë Euro (+40%) më shumë. Domethënë për tre vjet Bashkia ka marrë rreth 90 milionë Euro më shumë taksa nga administratat paraardhëse. Në total Bashkia ka marrë nga taksat në tre vjet rreth 300 milionë Euro.

Dhe megjithëse rriti kaq shumë taksat, megjithëse ka pasur në dispozicion 90 milionë Euro më shumë se administratat e kaluara, Bashkia përsëri zgjedh si model prioritar investimi partneritetin publik-privat që kushton jashtëzakonisht shtrenjtë, në vend që të përdorë këto lekë të taksave që mbledh nga qytetarët, për t’i realizuar vetë investimet duke ulur koston e tyre. Dhe ky paradoks natyrisht që krijon paqartësi se përse Bashkia zgjedh të veprojë në këtë mënyrë – vepron kështu në dëm të interesit të qytetarëve sepse s’e kupton, apo sepse zyrtarët e saj abuzojnë?

Një gjë është e sigurtë, në këtë pikë askush nuk është në gjendje të shpjegojë ku kanë shkuar gjithë kjo shumë e madhe lekesh shtesë, që erdhën nga buxheti shtesë që erdhi si pasojë e taksave shtesë. Në inventarin makroskopik të investimeve të kryqytetit për këto tre vjet, përvec sheshit Skënderbej (që vajti 3 vjet dhe ende s’po mbaron) dhe Pazarit të Ri -që të dyja bashkë kapin shifrën e afërsisht 15 milionë eurove kontribut nga buxheti i Bashkisë- nuk ka asnjë investim tjetër që të justifikojë destinacionin e buxhetit shtesë prej 90 milionë eurosh që përmendëm më sipër. Rrugët e qytetit janë për faqe të zezë, më keq se asnjeherë tjetëer që pas vitit 1997, pylli orbital është pothuajse falas, rikualifikimet urbane që janë bërë janë të përmasave të vogla me buxhet modest krahasuar me shifrat për të cilat po flasim, shkollat e reja do të bëhen me konçesion, ujësjellësi nuk ka marrë asnjë investim deri më tani, mbledhja e mbetjeve urbane po ashtu me konçesion, atëherë pyetja që shtrohet është përsëri ajo më e thjeshta:“Pse na u rritën taksat dhe ku shkojnë lekët e taksave?”

Advertisements

Leave a Reply