Emigrimi si akt revolucionar.

No comments

Nga Besjan Pesha

Pyetja që has më shpesh mes të njohurve dhe të panjohurve në udhëtimet e mia është “Si ka mundësi që përditë zbulohen skandale, me drogë apo korrupsion, me grabitje të pronës publike apo asaj private, rriten taksat, shtohen padrejtësitë ndaj shtresave më të dobëta të shoqërisë, thellohet hendeku mes të varfërve dhe të pasurve, rriten cmimet e kushedi sa bëma të tjera të ngjashme, dhe nuk ka asnjë reagim nga shoqëria? Nuk ka njerëz në sheshe? Nuk ka inat?”

Përgjigja e parë që të ngishet në buzë është ajo shabllon, e gdhendura në mendjet e cdo shqiptari tashmë. “Jemi popull apatik, nuk reagojmë, jemi dele etj”. Por e vërteta qëndron shumë larg kësaj parrulle. E vërteta fshihet mes shifrave të emigrimit.

Pse reagojmë? A nuk reagojmë që të kemi një ndryshim për mirë të kushteve të jetesës. Paga më të larta, infrastrukturë më të mirë, shërbime më të mira, jetë më të sigurta? A nuk reagojmë që të kemi më shumë shpresë për të ardhmen?

E pra një shoqëri e cila është zhgënjyer sistematikisht nga partitë politike, të majta, të djathta, të qendrës apo të ekstremit qofshin ato; është abuzuar thellësisht me besimin që u ka dhënë udhëheqsave; është vjedhur dhe gënjyer në mënyrë konstante nga të gjithë ata që kanë patur mundësi ta bëjnë këtë; një shoqëri e tillë nuk ëndërron më për të ndryshuar të ardhmen e vendit, por për të ndryshuar vend-ndodhjen.

Emigrimi nuk të kërkon të mbështesësh një ideologji të caktuar, nuk ka një lider të cilin duhet ta adhurosh apo urresh, nuk ka emra partish apo organizatash e megjithatë të ofron një ndryshim radikal për jetën. Për mirë kryesisht. Nuk duhet pra të hedhësh qeverinë dhe të shpresosh se ajo që do të vijë mbas nuk do të të mashtrojë si gjithë të tjerat. Nuk duhet të rrish me ditë të tëra në shesh duke brohoritur për të drejtën me shpresën se ata që ke në krah nuk do të ta vjedhin e tregtojnë për një grusht parash si ngahera. Nuk ke nevojë për një parti politike të re me emra të rinj e shpresëdhënës por që gjithnjë fshehin rrezikun e mashtrimit sic e kanë bërë të tjerë para tyre. Ajo për të cilën ke nevojë, për të realizuar revolucionin tend personal, është një pashaportë, pak të ardhura dhe një palë këpucë të mira. Edhe nëse nuk ke pashaportën e të ardhurat, mjaftojnë këpucët, muskujt dhe pak guxim. Kur ke kaluar kufirin ti ke kryer aktin tënd revolucionar. E nëse ky akt të sjell edhe punë të qëndrueshme dhe prespektivë jetese në atë vend, ti ke fituar. Protesta jote ja ka arritur qëllimit. Revolucioni ka ngadhnjyer. Jeta të ka ndryshuar. Ke fituar shpresë dhe I ke dhënë kuptim ekzistencës.

Prandaj nuk është korrekte të thuash se shoqëria nuk reagon. Debati nuk duhet të jetë nëse reagon apo jo shoqëria. Debati duhet të jetë mbi faktin nëse është emigrimi forma e duhur e protestës. Nëse rrënjët e shkulura nga ky vend do të zënë njësoj në një vend tjëtër? Ky është debati I vërtetë, këto janë pyetjet që duhen shtruar.

Sepse shoqëria po reagon dhe me fuqi të madhe. Shikoni numrat e emigrimit!!!

(Grafika nga mjeshtri Avni Delvina)
 

 

Advertisements

Leave a Reply