Emigranti në Angli, i përgjigjet zv.Ministres së Brendëshme.

One comment

Një nga emigrantët shqiptarë në Angli i ka kthyer përgjigje deklaratave të bëra nga Zv. Ministrja e Brendëshme shqiptare për një të përditshme angleze ku thoshte ndër të tjera se qeveria angleze duhet të tregohej më e ashpër me shqiptarët, ti trajtonte me rreptësi dhe ti kthente pas. Ferati na shkruan:
“Përshëndetje Nisma #Thurje!
Lexova atë shkrimin në lidhje me të rinjtë Shqiptarë që ikin në Angli. Lexova deklaratën e Zv.ministres së brendshme.
Kam shkruar një kolumnë dhe nëse ju duket e arsyeshme mund t’a botoni.”

“E dashur Znj. Zv/Ministre!
Unë quhem Ferat. Jam 23 vjeç. Kam studiuar në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike. Kam punuar pothuajse gjithnjë turni i tretë që të nxirrja shpenzimet e mia. Por vjen një moment që kupton se ky vend , vërtet t’a çan trapin. Sepse fati e deshi që të punoja kamarier edhe në një Restorant ku hani ju të mëdhenjtë e politikës. Krudo, verë “Barolo” apo “Amarone” disa vjeçare. Edhe sesi talleni me Shqiptarët. Sesi i shkërdhen politika mbarë e prapë. Ti nuk ke faj zonjë e nderuar. Mjaft që të angazhohesh në ndonjë fushatë dhe ja, fati e deshi që të bëhesh Zv. Ministre.
Unë jam një djalë që jam angazhuar në Politikë. Por më është neveritur vetja kur kam parë se duhet të jesh një servil që të kesh sukses. Duhet të jesh një militant dhe pa ide, sepse idetë të skualifikojnë. Nejse, nuk dua të zgjatem shumë me këtë pjesë. Thjesht lexova një lajm, në lidhje me të rinjtë që arratisen nga Shqipëria dhe që ju paskeni thënë që fajin na e paska Qeveria Angleze. Dhe se duhet që ato para t’i investojë këtu. Po si moj zonjë e nderuar e thua me kaq debulesë? A e di se sa para kanë investuar qeveritë e huaja këtu? Ku janë? Sepse politikanët I kanë përvetësuar të gjitha. Bjerini paratë këtu thoni ju që ti vjedhim ne?!
Pse i bini gjithnjë qylit? Pse qeveritë e huaja duhet të investojnë këtu me taksat e qytetarëve të tyre kur këta të fundit punojnë ndershmërisht atje. Ti nuk e di, ti as nuk e ke idenë si të rrezikohet jeta kur merr rrugën e Anglisë. Më pyet mua që e kam provuar diçka të tillë. Bij nënash që flenë nëpër shkurre dhe nëpër ferra. Që ushqehen me bukë nëpër sheshe qyteti sepse nuk kanë një vend ku të ushqehen. Ata bij nënash sikurse unë që kemi kaluar netë dhe ditë me rrallë brenda në kamion vetëm me disa shishe uji. Ata bij nënash që orvaten nëpër rrjeta me tela gjembash, duke thyer duar dhe këmbë. Në vitin 2017, ata bij nënash që humbin shpresat për një jetë më të mirë. Bij nënash që shteti i tyre i ka braktisur dhe rrugët pa drita janë thjesht një rutinë e përditshmërisë. Bij 15-vjeçarë që duan të fitojnë para sepse varfëria të mundëson që paratë të jenë i vetmi shpëtim. Shkoni ju zyrtarë, shkoni edhe thuajuni të gjitha qeverive t’i shporrin Shqiptarët. Shkoni dhe thoni t’i kthejnë sepse ju po bëni namin. Unë nuk ndiej keqardhje për veten time. As për vuajtjet që i kam kaluar. Por kam parë se ka shumë idiotë që na qeverisin. Ti zonjë, mos u bëj një nga këta idiotë. Madje, po të jesh aq e sinqertë , mund edhe t’i vizitosh ato qeveri, të dalësh nga urdhërat hipokrite dhe t’ju thuash t’i mbajnë Shqiptarët atje. Sepse Shqiptarët herë apo vonë do të kthehen përsëri. Edhe kur të kthehen, nuk do të kenë nevojë për ju dhe politikat tuaja mediokre. Nuk pres asgjë më shumë, vetëm që ju të pranoni se s’ja keni haberin vuajtjeve dhe trishtimeve. E ndërsa Shqiptarët të largohen nga ky vend, ju vazhdoni të hani krudo, ushqime deti të freskëta e verëra të shtrenjta përderisa lekët nga djersa e ballit te këtij populli nuk paskan të mbaruar.”

Advertisements

1 comments on “Emigranti në Angli, i përgjigjet zv.Ministres së Brendëshme.”

Leave a Reply