EDI, EDI HIQI BREKËT!

No comments

Nga Ulrike M Goldman

Edi, Edvin, Vini a si dreqin quhesh realisht! Që kur erdhe ti në pushtet, nuk ka më asgjë të sigurt për njeriun e thjeshtë në këtë vend: as punë, as bukë për fëmijët tanë në fund të muajit, as pagë të sigurt muajin tjetër, asgjë. Ke arritur me sukses ta shndërrosh gjithçka që na përbën si njerëz, në një nocion fakultativ, të paqartë, të dyshimtë dhe të interpretueshëm. E ke parasysh: ashtu siç ke ti emrin, ose profesionin e vërtetë. Apo siç janë emrat dhe mbiemrat e kryebashkiakëve, deputetëve dhe partiakëve të tu që janë shtruar këmbëkryq e po na qeverisin për shtatë palë qejfe.

Edi, Vini! A ke dalë këto ditë në dritare? Apo ke qenë duke pozuar pa brekë për fotot që ti i bën vetes? Studentët po protestojnë, Vini. Astiri po proteston. Teatri proteston. Shkoza po proteston. Infermierët protestojnë. Naftëtarët protestojnë. Minatorët protestojnë. “Biznesi” i vogël (biznes??? Të papunët me dyqan me qera thuaj) po protestojnë edhe ata. Çdo shqiptar edhe ai në dukje më i urti, së brendshmi zien. Kushdo ka protestën e tij me djegie të brendshme ndaj teje. Shqipëria është në këmbë, pavarësisht se ke qejf dhe sforcohesh të imagjinosh sikur s’është ashtu. Sikur gjithsesi, ekziston edhe një depozitë fansash të tu që shijojnë parajsën që ke ndërtuar ti për shqiptarët dhe vdesin të të shikojnë ty nudo. Imagjino, imagjino Edi.

Me ty e kanë të gjithë. Si thoje atëherë kur ishe në opozitë sa herë që frynte erë? Fajin e ka Saliu! Po tani kush e ka fajin, Edi a Vini a si dreqin quhesh ti?

Dimri është i gjatë. Ditët të ftoha e të shkurtra, netët të gjata e të zymta me ty që fanepsesh si kukudh në çdo ekran duke u munduar të na mbushësh mendjen se gjërat nuk janë siç i shohim me sy, por siç na i tregon ti me efekte 3D.

Kohë të këqia. Shumë shpejt nisin shirat, përmbytjet. Njerëzit sëmuren dhe mërziten shumë në dimër, Edi. Sidomos kur nuk kanë bukë, punë, shtëpi apo ndonjë shpresë se të gjitha këto do rregullohen. Të gjitha këto, do të t’i kërkojnë ty, sepse ti i premtove të gjitha këto. Do të t’i kërkojnë por jo me të mirë kësaj radhe. Nuk do impresionosh më njeri me barcaleta të viteve 80, as duke i rënë dajres, as duke u marrë tek e tek me secilin, tani në një realitet të ri e armiqësor për ty ku masa kolektive e të pakënaqurve këmbëngul të mbetet masë kolektive e refuzon të të japë ty atë që ti kërkon me këmbëngulje: përfaqësi, komisione, delegacione – shkurt, spektatorë të individualizueshëm të përrallisjeve të tua. Ku do mbytesh ti pastaj Edi, Edvin, Vini?

Të kam ndjekur me vëmendje Edi ose Vini. Të kam parë me kujdes të gjitha këto vite. Frika dhe dyshimi mbi të gjithë kanë qenë shoqëruesit e tu të pandashëm. Nuk ka nevojë për studime të thelluara për të nxjerrë profilin tënd psikologjik, sepse do ishte shpërdorim talenti me ty Edi. Ti je kaq i dukshëm dhe sipërfaqësor, Vini. Mungesa e thellësisë dhe sofistikimit tënd të bën aq të lexueshëm sa le të të vijë plasja.

Ti gjithmonë ke qenë në dilema mbi mendimet e vërteta të njerëzve për ty, e kjo pasiguri të ka kthyer ty nga ana tjetër, në një manifest të teprisë, të eksesit, hiperbolës dhe ekzagjerimit. Me një fjalë, në një Don Kishot. Në thelb ti ke frikë se nuk do të të duan, se nuk do jesh në gjendje të jesh bindës, andaj ti kur flet, flet më gjatë se ç’duhet, kur shan shan më rëndë se ç’përballohet, kur lavdëron, lavdëron më llustrueshëm se ç’meritohet. Ti s’di ç’të bësh Edi, Vini.

Ti je vërtet në hall. Por jo në një hall të papritur e subjektiv, si hallet që i bien në kokë çdo njeriu falë teje. Ti je vetë burimi dhe objekti i hallit tënd konstant e të mirënjohur. Ti je i obsesionuar me nevojën e pagabueshmërisë. E kjo të ka kthyer ty në një sinonim të gabimit.

Ti je i tëri një gabim Edi, Edvin, Vini. Edhe nëse shpreson që përmes teprimit me sasinë të arrish ta përfshish brenda edhe të mirën, kjo nuk të shpëton. Shpreson se ndonjë nga ato fytyrat e tua të shumta, karakteret e tua të ndryshme, sjelljet e tua të parashikueshme, ndonjëra pra nga këto alternativa do jetë me domosdo ajo e sakta, e pranueshmja, e pëlqyeshmja. Por jo Edi. Secila e tyre tek e tek ta shpif por edhe ideja e larmisë së tyre të hap barkun. Ti përfaqëson të papëlqyeshmen Vini, sepse njerëzve, paqëndrueshmëria u hap barkun.

Dhe ja ku je tani Edi, Edvin ose Vini, në pikën që po e sheh abysin e fundit tënd dhe je i tmerruar nga ajo që sheh. E sheh që batutat njëfjalëshe me “ngelësa” e më the e të thashë, s’të pijnë më ujë. Se ti kështu orvatesh ta kalosh përherë lumin: e redukton deri në një simbol banal njëfjalësh armikun dhe pastaj mundohesh të imponosh simbolikën e banalitetit.

E mbaj mend Edi, atëherë kur protestonim kundër helmeve të Sirisë që kishe vendosur me kokën tënde të na i bëje peshqesh, e di si na quajte në fillim? “Injorantë”. Sigurisht, pastaj dole dhe gati sa s’qave duke mbajtur një nga ato fjalimet e mbushura me fjalë si “asnjëherë në botë”, “kurrën e kurrës”, “unë nuk ju tradhëtoj” e plot budallallëqe të tjera prej frikacaku.

Por ta kam fjalën, ti e tenton një herë ta banalizosh muhabetin duke i ujdisur kundërshtarit një llagap që pastaj pret të popullarizohet duke të shmangur ty nga qendra e gabimit. Këta të armëve kimike i quajte injorantë, atyre të protestave kundër betonizimit të parkut të Liqenit u the sharlatanë, kuksianët protestues ishin barbarë, banorët e unazës së re janë shpellarë. Dhe normale që edhe studentët protestues, do ishin ngelësa për ty.

Në fakt prisja të kishe pak më shumë fantazi, Vini. T’i kishe quajtur diçka tjetër, tip konviktorë, valixhe-drunjsa, gjysëmopingsha. Teksa rri gjithë ditën në facebook duke “qeverisur” gjysmë-analfabetët që janë rezultati elokuent i suksesit të qeverisjes tënde, ke kohë sa të duash të tjerrësh nga këto batutat me kadrinj, me lukunira të babëzitura, banda të ndërkryera, me çeçenë dhe me mamlukë. Hë pra Edo, ndonjë nga ato antitezat e përkëdheljeve me të cilat lëpin ti miqtë e tu: bletët e arta, shtyllat tona të ekonomisë, çunat e Tironës nga ata të vërtetët.

Por jashtëqite pa u menduar atë sharjen e “ngelësave” dhe tani të duhet ta marrësh me dorë atë që jashtëqite e ta futësh prapë andej nga e nxorre. Je zënë ligsht Edi a Vini. S’ke nga ia mban. Nga njëra anë populli është ngritur në këmbë dhe po të kërkon që ti të justifikosh me investime publike masën e përbindshme të parave që ua ke marrë po këtyre njerëzve me taksa. Nga ana tjetër ti s’mundesh dot ta bësh këtë, se kjo nënkupton që duke i kthyer popullit këto para, ti të shkelësh premtimet apo më keq, kontratat që tashmë ke lidhur me bandën e miliardierëve që kanë gjetur rehat me këtë “sistemin” tënd mblidhja njerëzve-falja oligarkëve.

Ku t’i gjejmë lekët për shkolla, del e thua ti, herë me gojën tënde e herë me gojën e atyre që flasin si ty. S’kemi lekë për pensionet, as për pagat. Nga t’i marrim paret për studentët. Jemi shtet i varfër.

Ou? Nga t’i marrësh lekët, Vini? E di sa lekë pate ti për atë skemën masive të vjedhjes që i vure emrin tingëllonjës “Rilindje urbane”? 440 milion dollarë. 440 MILION dollar Edi, i hodhe për të blerë pllaka, vija të bardha, bojëra hidromat, stola parku. Askush s’t’i kishte kërkuar këto. Njerëzit që s’kanë bukë e punë dhe që janë shumica në këtë vend, jo një herë.

Por ti e bëre, sepse kjo ishte një mënyrë e mirë për të transferuar tek firmat e ndërtimit paratë e bukës së këtij populli. S’ke lekë për studentët, Edi, por pagove 16 milion euro vetëm për të bërë nga e para një shesh që ishte tashmë i bërë. 200-400 mijë euro i shpërdoruat vetëm për fishekzjarrët që u hodhën gjatë festës.

Po Jaguarët që bleve për qeverinë, ç’u bënë Edi? Sa lekë bëre rrush e kumbulla për to? Po restaurimet e kota të luksit të godinave e zyrave të tua të qeverisë, parqet me kërpudha, strehat me llampushka, sallat me ekspozita dhe ahengje brenda godinës ku duhet të punohet për qytetarët? Ja ku paska pasur lekë për këto, Vini.

554 milion lekë në vit jepen për check-up “falas” i cili në fakt nuk është falas sepse ju i paguani një kompanie nga paratë që na merrni neve me taksa aq para sa do mjaftonin të bëheshnin analizat e rregullta shëndetësore për afro 1 milionë banorë, ndërsa kompania me kaq para, ua bën analizat (pra check-upin) vetëm 250 mijëve. Ju keni rënë dakord që kjo vjedhje të vazhdojë për dhjetë vjet dhe që buxhetit tonë t’I zhvaten kështu 54 milionë euro.

Ja ku janë pra lekët, Edi, Vini a si e kishe emrin ti që sundon si pasha e që s’pyet për fukarenjtë që ti i shpërfill e i skarton me mendje si të paaftë për llogari, të padenjë për sqarime, të pamundur për të pasur memorie e të pazotë për të të hedhur ty me bythë përpjetë.

Dil pak në dritare, shikoje fundin tënd dhe dridhu Edvin. Vullkani po shfryn. Retë janë mbledhur. Gijotina duket në horizont. Revolta e të përbuzurve po vjen për ty. Edi.

Leave a Reply