Edhe njëherë për injorancën.

No comments

Nga Pano Soko

Injoranca qëndron në themel të çdo të keqeje. Çdo e keqe burimin e saj e ka tek padija, tek mosedukimi.
Shqipëria është kjo që është, sepse injoranca është ulur këmbëkryq. Sistemi ynë arsimor ka çeduar prej kohësh. Shkollat tona janë totalisht të dështuara.
Dhe nuk ka nevojë të shohësh diagramën e denoncimeve antikorrupsion përgjatë një viti, ku denoncimet në arsim ishin më të shumta sesa ato në dogana, tatime, shëndetësi, shërbime të administratës publike etj., mjafton të shohësh derexhenë ku jetojmë dhe me një analizë deduktive të thjeshtë e kupton që është arsimi problemi. Janë shkollat tona.

E dini përse emigrojnë jo vetëm ata që nuk kanë punë, por edhe ata që e kanë një punë dhe në shumë raste dhe me të ardhura të mira për vendin? – Sistemi arsimor dhe shëndetësor. Por kryesisht ai arsimor.
Sepse nëse nevojën për shërbime spitalore (kur ke të ardhura të mira) e mbulon rast pas rasti edhe jashtë Shqipërisë, shkollës nuk ke çfarë t’i bësh. Edhe nëse i ke të ardhurat, s’mund ta dërgosh fëmijën jashtë që në klasë të parë. Prandaj njerëz që sot kanë punë dhe të ardhura vendosin të largohen, prinërit bashkë me fëmijën.

Dhe kur këtë e vuajnë ata që kanë punë e të ardhura të mira, imagjinoni ç’ndodh me masën e madhe të njerëzve që kanë pak, ose nuk kanë të ardhura.
Të detyruar për t’iu nënshtruar realitetit, pjesa më e madhe e njerëzve që mbeten në këtë vend vazhdojnë traditën duke i çuar fëmijët në shkolla që vetëm emri iu ka mbetur i tillë, sepse në fakt janë thjesht fabrika injorance të prodhimit në seri.
Dhe s’ka nevojë të bësh studime eksperimentive për ta kuptuar këtë. Shikoni në sa vende njihen shkollat shqiptare. Në sa vende njihen të plota diplomat e universiteteve shqiptare? – Në asnjë vend të hajrit.
Natyrisht, sepse askush nuk është aq bamirës naiv sa të njohë diplomën e një Universiteti ku zgjedhja e Rektorit bëhet nën presionin e kriminelëve më të famshëm të vendit. Ku Rektori dhe Dekanët sitematikisht akuzohen për afera korruptive me lekë tenderash.
Ku kriteri bazë për përzgjedhjen e pedagogëve është cilësia e njohjeve të tyre politike-nepotike dhe jo dijeve shkencore.
Ku laboratori është thjesht një koncept teorik, sepse askush nuk e ka parë ndonjëherë.
Dhe kryesorja, ku notat, në shumë raste, tregojnë sasinë e lekëve që ka studenti dhe jo të dijeve.

Dhe për këtë të fundit mjafton t’i referoheni pasqyrës së denoncimeve. 90% e atyre me burim universitetin janë pikërisht raste të abuzimit me vlerësimin me notë.

Arsimi është problemi ynë madhor, që në garën për vëmendje publike e ka të vështirë të evidentohet. Natyrisht që arsimi nuk është aq bazik sa çështja e ujit, jetik sa importi i plehrave, thriller sa historitë me kriminalitet, apo ekzotik sa aksionet e Kryeministrit, që të kapi faqet e para të shqetësimeve tona. Por ai është me fondamentali.
Ai është themeli i gjithë problemeve të tjera. Nëse duam të ndryshojmë diçka, duhet nisur nga arsimi. Në të kundërt s’kemi për të rregulluar asnjëherë, asgjë, asnjë.

Advertisements

Leave a Reply