Dy fjalë mbi babëzinë!

No comments

Kjo në foto është një nga lagjet e reja të Gjirokastrës. Kodra e shtufit nuk ishte e ndërtuar përpara viteve ’90. Kush ka jetuar përpara atyre viteve e mbante mend fare mirë se argumenti që mbi shtuf nuk mund të ndërtosh, pranohej si fakt. Ndoshta edhe sepse ka rreth 4 studime për kodrën të cilat derivojnë se gryerja e saj dhe depërtimi I ujërave sipërfaqësorë apo nëntoksorë do të shkaktojë shkarje dhe paqëndrueshmëri.
E megjithatë, mbasi erdhi demokracia, shumë prej argumentave të asaj kohe u quajtën brockulla dhe një nga to ishte edhe “miti” se mbi kodrën e shtufit nuk mund të ndërtohej. Nuk dimë kush ia nisi I pari, ama ata që e ndoqën ishin të zellshëm e të shumtë. Më të zellshmit kuptohet që ishin kryetarët e bashkive që furnizuan me leje ndërtimi gjithë lagjen. Ndoshta edhe të surprizuar nga mrekullia që kishte bërë demokracia, ky sistem magjistar I cili hiqte barrierat idiote që vendosnin ligjet dhe disa njerëz që gjasme kishin më shumë dije se të tjerët, njerëzit iu qepën kodrës me lejen hyjnore të qeverisë.
Sot, 27 vite më pas, kur ka patur tashmë disa rrëshkitje të dheut, kur rrezikohet shembja e një pallati, kur një rrugë është thyer në copa si të ishte një cokollate e zezë, disa njerëz po kujtohen se ka patur dikur disa studime të cilat thonin se mbi kodrën e shtufit nuk mund të ndërtohej, por nuk janë të sigurtë nëse këto studime janë bërë para apo pasi të ndërtohej aty. Ndërkohë që rropaten të gjejnë përgjigjen, kodra është duke rrëshkitur dhe nga viti në vit mund të shkaktojë edhe viktima nëse nuk ndërhyhet seriozisht.
Qeveria, e njëjta që lejoi ndërtimet, duhet tani të ndërhyjë me energji në Gjirokastër dhe të kryejë përforcimin/mbingarkimin me mure tip gabion të strukturave kështu që të evitohen rrëshkitjet e mëtejshme. Sot, sepse neser mund të jetë vonë. Sigurisht që kjo ka përfitimet e veta sepse gjatë punimeve mund të bëhën dhjetra filmime tip “live” të KM duke bashkëbiseduar me banorët e duke sharë me rrënjë shtëpie ata që kanë qeverisur para tij, mund të shkrepen me qindra foto artistike ku KM psh mund të shfaqet I veshur me tuta të kuqe duke derdhur beton të zi mbi muret përforcuese të kodrës, mund edhe sigurisht të organizohen disa ndërhyrje me Skype nga banorët që lavdërojnë cilësinë e punimeve. Pra, përfitimet janë të dyanshme.
Cfarë po presim? Le t’ia nisim pra!

Advertisements

Leave a Reply