Duhet të ndryshojmë sistemin!

No comments

Studentët, Astiri, Teatri, minatorët, naftëtarët, banorët e Zharrzës… Gjeneza e të gjithës është pabarazia.

Në vendin tonë pabarazia është rritur kaq shumë saqë ajo është kthyer në burimin kryesor të mungesës së shpresës, e cila më pas, së bashku me mungesën e një oferte të besueshme politike, gjeneron largimin e shqiptarëve dhe boshatisjen e vendit.

Pabarazia përpara ligjeve dhe rregullave, pabarazia në përfitimin e burimeve natyrore, pabarazia në pagesën e taksave dhe përfitimeve nga to, pabarazia në përfaqësim, pabarazia në të drejta dhe detyrime, këto janë themeli i asaj që po ndodh.

Kemi një sistem që gjeneron pabarazi!

Kur dikush që sforcohet për të paguar taksat, shikon që lekët që ai ka paguar me aq shumë sforco shkojnë për projekte me kosto marramendëse, korruptive, ku dikush fiton dhjetra milionë Euro brenda natës, kjo pabarazi në detyrimin dhe përfitimin e të mirës së përbashkët natyrisht që shkakton dëshpërim dhe dëshirë për t’u larguar.
Kur dikush shikon që një individ i varfër shkon në burg për lidhje dritash që ia kanë prerë së s’ka pasur lekë për të paguar, ndërkohë që për tendera të manipuluar, për praktika korruptive miliona dollarëshe askush nuk mban përgjegjësi dhe prokuroria dhe gjykata as nuk e ve ujin në zjarr, kjo është pabarazi përpara ligjit dhe shkakton dëshpërim dhe dëshirë për t’u larguar.
Kur dikush që nuk arrin të sigurojë shkollimin e fëmijës së vet, sepse pagat janë aq të ulta saqë s’dalin as për mbijetesë, shikon që fëmijët e pushtetarëve dhe larove të pushtetit shkollohen jashtë me lekët e tarifave të shkollimit që ai stërmundohet që t’i paguajë fëmijës së vet, kjo e dëshpëron deri në largim.

Fakti është që faktori shtet është një ndër aktorët kryesorë që ushqejnë pabarazinë dhe po fakt është që qytetarët e shohin këte çdo ditë, por ndihen të pafuqishëm për të ndryshuar diçka prandaj preferojnë më mirë të largohen nga vendi.

Burimi i plagës më të madhe dhe që është duke u rritur eksponencialisht, në trupin e këtij vendi është pabarazia mes shtetasve. Kjo është sfida e të gjitha sfidave dhe që kërkon një rikonceptim të ri të të gjithë filozofisë dhe elitës politike.

Kemi nevojë të ndryshojmë sistemin.
E vetmja rrugë sesi shpëtojmë nga humnera ku jemi nisur është të ndërtojmë një sistem të ri. Një sistem ku ligji të jetë i barabartë për të gjithë, ku taksat përdoren për të mirën e të gjithëve, ku të gjithëve iu garantohet e drejta e shëndetit dhe shkollimit, ku nafta, kromi, lumenjtë, bregdeti shkojnë për të mirën e të gjithëve, ku qytetari pyetet për çdo gjë dhe jo thjesht një herë në katër vjet, ku deputetët zgjidhen nga populli dhe jo nga Kryetari i partisë, pra një sistem ku të gjithë jemi të ndryshëm, por të barabartë para ligjit në të drejta dhe detyrime.

Kjo është rruga sesi nuk largohemi më nga ky vend, apo dhe ata që rrinë nuk mbeten gjithë jetën në bulevard!

Leave a Reply