Dilemat e policit që goditi studentin dhe ne që sodisim.

No comments

Nga Pano Soko

Polici që sot goditi studentin, ka pasur dhe ai dilemat e veta.
A e dinte ai që po shkelte ligjin që në momentin që vuri këmbën në fakultet? A e dinte ai që po kryente një vepër penale një herë duke shkelur në fakultet dhe një herë duke goditur një student që donte të futej në shkollë? – Ndoshta nuk e dinte, por ndoshta e dinte. Po kjo kishte pak rëndësi për të. Për të e rëndësishme ishte të zbatonte urdhërin. Sepse në Republikën tonë kallogrè, individi është mbi ligjin. Prandaj për këdo që punon në shtet, është më me leverdi të shkelësh ligjin sesa të thyesh urdhërin.

Në botë ka me miliona shembuj të punonjësve që kanë thyer urdhërat, sepse nuk duhej shkelur ligji. Por në botë shteti qëndron mbi pushtetin.
Ndërsa këtu pushteti qëndron mbi shtetin. Pushtetari është ku e ku mbi ligjin. Në rast të një konflikti mes ligjit dhe urdhërit që vjen nga lart, vetëm të jesh budalla të thyesh urdhërin.
Ligji??? Varja ligjit..Askush s’i trembet ligjit, në fund të fundit është eprori që të heq e të vë në punë. Ti s’je budalla, zbato urdhërin dhe je në rregull..Ligji s’të mbron kur pushteti të godet. Pushteti të heq nga puna dhe hajde gjeje të drejtën pastaj, jo po ligji, jo po leshi. Ik rri prit dyerve të gjykatave, jo po unë po zbatoja ligjin, jo po urdhëri ishte i paligjshëm, jo po tërci, jo po vërci..

Është e frikshme!!!

Nuk besoj se thirrjet që ne iu bëjmë të gjithë atyre policëve, luajnë ndonjë rrol. Duhet të jesh naiv të besosh se dikush do të vendosë përgjegjësinë morale mbi pagën e muajit. Ne mund ta provojmë t’iu bëjmë thirrje pa fund, po s’besoj se do të qullosnim gjë. Polici do të futej e do të dilte nga fakulteti sa herë që ta urdhëronin edhe pse vetë mund ta dinte që kjo ishte e paligjshme, madje edhe sikur ta dinte që urdhëri vinte nga një i sëmurë mendor, ai prapë do ta zbatonte. Sepse këto janë rregullat e lojës. Ky është sistemi..

Është një sistem i çimentuar tashmë, prej vitesh, ku ligji relativizohet përballë pushtetit. Është prej kohësh kjo mënyrë funksionimi, së fundmi thjesht sa i janë theksuar ngjyrat. Nëse duam të bëjmë diçka duhet të ndërrojmë sistemin. Por kjo s’ka ndonjë shanc të bëhet vetë.
Ne presim që Rama të ndryshojë një sistem që i leverdis atij vetë? – Jemi naivë, në rastin më të mirë. As Rama, as ata që kanë zënë rradhën dhe presin te dera, nuk kanë për ta ndryshuar ndonjëherë këtë sistem që ata e ndërtuan vetë, për interesin e tyre. Ata e ndërtuan këtë lojë, me këto rregulla, sepse duan që pushteti të jetë mbi shtetin. Dhe ja kanë dalë.
Nëse ne të tjerëve nuk ka intereson që shteti të jetë një plaçkë pa vlerë, sepse duam që policia mos shkelë në dyert e universiteteve për të rrahur studentë, sepse duam që kushdo punonjës shteti mos firmosë letra të fallsifikuara që eprori të vjedhë miliona euro nga buxheti i shtetit, sepse duam që deputeti mos jetë një numëror në karriget e parlamentit që ngre kartonin sa herë ia kërkon kryetari, por të ngrejë kartonin kur interesi i votuesit e kërkon, sepse duam që pasuritë publike mos shkojnë në xhepat e një grushti njerëzish, sepse duam arsim për fëmijët, spitale për veten tonë, në fund të fundit sepse duam të jetojmë me dinjitet…na duhet të ndryshojmë sistemin.
Po nuk ndryshuam sistemin, rrënjësisht, mund të vazhdojmë gjithë jetën me denoncime në fb, thirrje vokale apo verbale për zbatim ligji, me protesta në shesh, bllokime rrugësh, madje dhe të vritemi në bulevard, dhe prapë s’kemi për të zgjidhur gjë…Ai polici do të vazhdojë të shkojë të futet në fakultet e të rrahë kë t’i dalë përpara, sa herë që eprori t’ia kërkojë. Dhe do ta bëjë me më shumë pasion.

Leave a Reply