Cfare do beni?

One comment

Cfarë do bëni?

Besjan Pesha

E kam me ju që nxirrni bukën e gojës duke u rropatur rrugëve me ato arkat e shëmtuara të rrushit apo fiqve mbartur mbi bicikleta kineze. Me ju që shisni rroba të përdorura nëpër cepat e Shqipërisë dhe me paratë e fituara u bleni rroba edhe më të përdorura fëmijeve tuaj. Me ju që keni marrë me qira ndonjë cep pallati ku shisni cigare e camcakiza në këmbim të një kafshate. Me ju që shisni duhan rrugeve te Shkodres apo Elbasanit.
Jeni shpallur armiq publikë!! Po po, ju!!

Do vijnë dhe do ju gjejnë në cdo rrëzë që do të jeni futur, do jua zënë në grykë ate kafshitën e lodhur por të pataksuar. Do ju fshijnë nga trotuaret sic fshihen milingonat nga sofra, do jua sekuestrojnë ato mallrat tuaja të varfëra por të pa niptuara. Do jua marrin ato cepat e dyqaneve ku shisni në mënyrë ilegale në kurriz të shtetit.
Prandaj po ju pyes, cfarë do të bëni??

Sigurisht qe disa nga ne, si qytetarë me më pak halle, do kënaqen teksa rrugët do lirohen nga arkat tuaja qelbarake. Do I blejnë perimet më shtrenjtë, do I blejnë nga ato të importit që hyjnë me kamiona apo më vaporë, nga ato që ç’doganohen 1 në 3, por hej…do I blejnë si njerëz ama. Do u hiqen qafe ato palo dyqanet e vogla ku shiten edhe cigare të hapura apo ndonjë qese Tarabosh I papërpunuar, do rriten cmimet, por ama…he he…vec supermarket, aty ku mallrat vijnë me kamiona që furnizohen nga vaporë të cilët furnizohen në magazina gjigande. Ato vaporët të cilëve asnjëherë nuk u dihet nr I kontejerëve, sidomos ato me cigare…por ç’rëndësi kanë këto. Do blejnë mallra vetëm në Supermarkete moderne, si bota apo jo.

Nejse, këta do kënaqen, por ju, ju ç’do bëni?

Ju që keni këstin e kredisë sa gjysma e rrogës, asaj palo rroge që mezi vjen në atë fund a fillim muaji. Ju që keni filluar të kuptoni se me të njëjtat para në dyqane blen më pak gjëra se vjet, e shumë më pak se parvjet, e si papritur ato që dikur me zor edhe mund të dilnin për ta ngjitur malin e gjatë të shpenzimeve mujore, tani mezi ju cojnë deri në gjysëm. Kur tju thonë në shtator se çmimet do të rriten edhe më, Ju çfarë do bëni?

Ka disa nga ne që do të kenaqen me këto masa sigurisht. “Bota takson cdo gjë” do na thonë nëpër ekrane tv-sh apo celularësh. Pavarësisht se sistemi ynë nuk I përkthen taksat në shërbime, sepse sistemi është problematik, sepse trashëgimia jonë është e tillë qe ka krijuar disa gropa ku cuditërisht humbasin paratë dhe askush nuk e di se ku shkojnë, sikur të ishte një show I arrirë I Coperfieldit…pavarësisht këtyre dhe faktit që Saliu nuk është pa faj, taksat duhen, biles po ti krahasojmë më Europën, I kemi shumë por shumë të ulëta. Disa njërëz do vuajnë, por plako…A do shkojmë në Europë apo cfarë??

Por unë pyetjen nuk e kam për këta se këta e kanë në terezi, por e kam për ju të tjerët. Ju cfarë do bëni?

Ju që e keni kuptuar se cmimi I naftës në pikat e karburantit nuk ka asnjë pikë takimi me cmimin që merr puna juaj në fund të muajit. Ndërsa nafta, ajo e zeza që del me shumicë nga nëntoka jonë, sa vete dhe lartësohet, vlerësimi monetar për punën në Shqipëri sa vetë dhe c’vlerësohet. E prandaj e kam me ju sepse jam shumë kurioz të di se cfarë do të bëni kur të kuptoni se shpresat për një reagim me dorë në zemër të lartmadhërinjve për ta ulur taksimin e nëpërmjet tij cmimin, do të shuhen si llampat e shtëpive që nuk paguajnë. Kur në shtator të kuptoni se nuk do të jemi më të 9-tët në renditjen botërore për cmimin e naftës, por të 6-tët. Cfarë do të bëni?

Sigurisht që disa prej nesh; me shumë gjasa të njëjtit me ata që do gëzohen për fushatën kundër varfanjakëve, për taksat e larta, për cmimet e diktuara nga monopolet pranë ekselencave pushtetarë, po ata të cilët kur munden e ngrenë traun e doganave sa për të kaluar dy-tre qind kamiona, ose pak atë të Portit për ndonjë vapor më shumë ose më pak, ata të cilët naftën bruto e përpunojnë në rafinëritë e tyre të jashtligjshme dhe më pas e shesin sikur ta kenë produkt importi, ata të cilët naftën e kontrabandojnë, ata të cilët I fitojnë tenderat me të njëjtat marifete siç ja dalin që ti përlajnë paratë e buxhetit pa bërë asnjë punë të hajrit, ata të cilët jetojnë në lagjet e tyre preferenciale dhe I blejnë pellushët e sinjorinave në Paris; Sigurisht pra që ata nuk do të jenë dakort me këtë mendësi fshatareske, e cila kundërshton nismën ndërkombëtare vizionare të kryetarit më të gjatë në botë për të ulur ndotjen boterore që shkaktojnë makinat shqiptare, për ti shpallur luftë pa kompromis ngrohjes globale, për ta shpartalluar emetimin e gazit si koncept. Ata do na shohin me përcmim, me keqardhje dhe ndoshta herë herë do na mëshirojnë për padijen tonë. Por me qetësi do të presin fushatën e ardhshme, për të na dhënë edhe një shans për tu vetëkorrigjuar nëpërmjet votës.

Ata e kanë gjithë rehatin të presin zgjedhjet, por ju, ju të shpallurit armiq publike, ju të varfërit apo kandidatë për të varfër, ju me ndërgjegje dhe me sens kritik, ju pra të tjerët…Ju, cfarë do bëni???

Advertisements

1 comments on “Cfare do beni?”

  1. …..Po ti Besian cdo besh???!!!Do vazhdosh te na tregosh ku calojme,ku gabojme,ku nuk reagojme????….do vazhdosh te na thuash te cohemi e mos heshtim????Cdo besh ti Besian se une dhe ne e dime me se miri qe jemi thare perbrenda,ne vena sna rrjedh me gjak,vec apati,frike,pasiguri,indiferente jemi bere ndaj gjithckaje tashme se e mbajme ende veten per inteligjente dhe e kuptojme qe nuk ben te jemi ne heronjte e pare qe dalin shesheve dhe ju hiqet buka e gojes,asistenca dhe puna……Cdo besh ti Besian dhe te tjeret si ti qe trumbetoni dhe flisni ne emrin tone????Ne jemi dele dhe jemi te ndergjegjshem per kete….por skemi nje dash apo desher qe ti prijne kopese,s’kemi as qen stani qe te na mbrojne nga ujqerit…..me kupton Besian?????Me kupton.jam i sigurt qe me kupton dhe une flas ne emer te shumices se deleve …..Ne jemi katandisur si “Ferma e Kafsheve” Besian ne piken e saj negative me kulminante……Vec ta dije Besian se sa i revoltuar jam une delja e sa e sa here gjate nje dite shfryj perbrenda nga pamundesia per te shfryre jashte vetes aty ku kopeja e deleve do shkaktonte orteke ……E di qe do me thuash Ne kemi dale shpesh dhe protestuar po ti ku ke qene…….dhe ckeni bere Ju qe keni dale Besian?????Nese vertet Besian je per nje kauze qytetare,shqiptare,per nje grusht te forte qe rrezon dhe shemb murin Migjenian…..ngri nje kauze,ngri nje zgjim qytetar,mos u bej pale me askend te ekspozuar ne pseudo politiken e sotme,ji revolucionar por mos bej revolucione qe me se shumti kane krijuar nje kaos me te rende se plogeshtia mjeruese e sotme……Kur te jesh me bindes dhe me frymezues Besian,do me kesh ne krah mua popullin e deleve se fundja une i humbur jam por lyp ende,ende pertyp buke me miell jo cilesor,ende i shoh femijet e mi edhe sot te buzeqeshin ndonese jo shpesh,sa per veten jam mesuar tashme te tymos duhan te mykur e te lire dhe kam filluar te besoj se Zoti ekziston dhe do vere dore mbi njerezine se tashme vec nga Ai i ngre syte dhe shpresat…..Besian bej dicka nese ke ne plan te pare vullnetin e mire e ne plan te dyte nevojen per kariere,fame dhe emer…bej dicka por mos vono Besian,dicka qe te me ngreje mua te dal nga dera pa friken se mund te mos rikthehem me ne skuten time te gjore,mos vono Besian derisa dhe therimja e fundit te me kete mbaruar,se nese sdo kem me asgje Besian do behem martir i hicit,do deliroj ne shfryrjen time dhe sdo jem aspak produktiv nga veprimet e mia….do heq qafe nje a dy ujq por fundja do kem bere nje vrime ne uje ne oqeanin e madh te zi qe na ka permbytur e spo thahemi dot…..E di Besian qe Ti dhe shoket qe ke ne krah keni bere shume,Ju flisni ne gjuhen time,ju protestoni ne emrin tim,per mua……Ju falenderoj per kete por nuk mjafton…..do sihte me mire te me krijonit klimen e pershtatshme ku une delja te flas per veten,te luftoj per veten,te diktoj une pushtetin,te jem une dashi i kopese………Miqesisht,me thua dot kur te dal nga dera e shtepise te perqafoj te mite dhe t’jua them se ndoshta sdo me shohin dot me se vendosa te mos hesht me,se sot vendosa te jetoj per veten dhe per ta,se sot skam me as frike e as indiference,se sot besoj me shume se kurre se une e bej fatin tim…..Ji nje Migjen Besian,me frymezo,beme te ngrihem,beme te thyej turinj te fryre nga dhjamosja,beme te nis te jem ai cka duhet te jem ……..e nese smundesh me ler ne agonine time dhe vazhdo me tezat e tua qofshin revolucionare apo te financuara,qofshin mates te apatise shoqerore apo valvula shfryrjeje per nje popull qe po plas…….

Leave a Reply to Genti Cancel reply