A mund ti thuash derrit dajë?!

No comments

Nga Jeta TOÇILA –

Sa herë jemi përballur me njerëz që makinat, orët apo kostumet janë gjërat më me vlerë që kanë, (llogaritur këtu si gjë edhe qënien e tyre) ! Sa herë jemi përballur me njerëz që sapo hapin gojën për të folur, kuptojmë se nga vijnë e ç’jetë kanë bërë! Kjo, jo në sensin e prejardhjes krahinore, por në kuptimin e rritjes së tyre si njerëz. Sa herë jemi përballur me njerëz që sapo i kemi njohur jemi dakordësuar të duam më shumë kafshët!

Kur këta njerëz i has në shkollë, ti zgjedh t’u largohesh e të mos shoqërohesh, kur i ke në punë ose të çon halli në derë të tyre, do i thuash derrit dajë ose do zgjedhësh variantin majë më majë…!

Thuaj derrit dajë, po deshe që jeta mos të të kthehet në ferr, që mos të të neveritet puna e mos të zgjohesh mëngjeseve me përtesë, duke u kujtuar se një koleg/e do çirret me gishtat në vesh.

Ose, mos i thuaj po deshe të mbetesh sporteleve ose sallave të pritjes për një copë letër, duke numëruar orët e ankthit apo stresit të krijuar nga derri që të intimidon vazhdimisht sepse je hallexhi apo sepse je një femër, apo sepse je një djalosh i ri, i ndrojtur, pa portofol.

Mos i thuaj dajë po deshe, derrit shef, që mos të përfundosh në listën e zezë të hakmarrjes, apo të fluturosh nga puna edhe nëse ke status. Nuk të mbron as DAP-i, ai institucioni i marionetave dhe pazareve të rrushit dhe kumbullave. Edhe aty ka ndonjë derr apo dosë, të zhytyr në llucë duke u kënaqur në ekstazë. Kudo ka derra që intimidojnë, manipulojnë ose kontrollojnë të tjerët për të arritur qëllimin e tyre.

Derra që u mungon sensi i së drejtës dhe ndershmëria, që manipulojnë ose terrorizojnë punonjësit që kanë në varësi. Derra që përdorin gjuhë dhe fjalor të ndyrë, pa bërë dallime gjinore apo statusi. Derra që ndihen të sigurt se gjuha që përdorin nuk do ti penalizojë, përderisa sharjet kudo janë kthyer në normë.

Derra apo dosa që shfaqen arrogantë e prepotentë korridoreve dhe madje gëzojnë kur dikush i përshëndet i pari, sepse ky është tregues i hierarkisë. Derra të panginjur, me brekë apo brekëgrisur, të martuar apo jo, aktivë apo impotentë, që lypin sex apo para ndaj çdokujt që i troket në derë në këmbim të një favori. Derra që mirësjelljen apo mirënjohjen e marrin si miklim…

Kudo gjenden derra që i besojnë sloganit të derrave të Orëell-it se “Disa kafshë janë shumë më të barabarta se të tjerat”, në këtë Shqipërinë tonë të mjerë me aristokraci të përmjerë.

Mendohu pak: Nëse derri është një specialist te legalizimet që të zvarrit procedurat vetëm për të të zhvatur disa para, çfarë mund ti thuash derr apo dajë? Nëse është një polic që të ndalon në mënyrë të padrejtë në rrugë dhe të kërcënon me ndalim të lejes së qarkullimit, vetëm për të të zhvatur ndonjë lek, çfarë mund ti thuash derr apo dajë?

Nëse është një mjek që të neglizhon duke thyer edhe betimin e Hipokratit, çfarë mund ti thuash derr apo dajë? Nëse është një gjyqtar apo prokuror që të mat kokën me pé, edhe kur je viktimë apo ke të drejtë, çfarë mund ti thuash derr apo dajë? Nëse është një cop sekretari në administratë dhe u premton njerëzve që do ti rregullojë ndonjë punë, kur në fakt ka çelsat e kashtës në dorë, çfarë mund ti thuash, derr apo dajë?

Nëse është rastësisht një shef, me defiçensa të theksuara kulturale apo morale, në përpjekje për ti fshehur me arrogancë të stisur në sjellje me vartësit, çfarë mund ti thuash derr apo dajë? Nëse e ke koleg që të mërzit çdo ditë me papërgjegjshmëri, çfarë mund ti thuash derr apo dajë? Nëse është një mësues apo pedagog që të bën presion me kurse apo notë, çfarë mund ti thuash, derr apo dajë? Nëse e ke komshi që mezor merresh vesh, por ç’ti bësh kur je derë më derë, çfarë mund ti thuash derr apo dajë?

Nëse jeton në një qytet të ndotur e betonizuar, aq më tepër kur taksat dhe ankesat e tua s’bëjnë fajde, çfarë mund ti thuash autoriteteve, derr apo dajë? Nëse jeton në një vend ku fjala e lirë persekutohet e ndëshkohet, çfarë mund ti thuash derr apo dajë?
Ty si të leverdis më mirë? A mund ti thuash derrit dajë ??

Advertisements

Leave a Reply