5 rrëfimet e javës nga të palodhurit e Shqipërisë.

No comments

Si Nisma Thurje përpiqemi cdo ditë të biem historinë e një shqiptari të ndershëm i cili jetën e ka ndërtuar nëpërmjet sakrificës dhe punës së ndershme. Kjo është një përpjekje për ti ridhënë jetë vlerave dhe për të ngritur në piedestal njerëzit e ndershëm dhe punëtorë, në një shoqëri të pushtuar nga antivlerat .

Sipas nesh ka dy kategori njerëzish në Shqipëri. Të pangopurit dhe të palodhurit. Të pangopurit i shohim kudo e përditë në cdo ekran. Ata zgjidhen në poste drejtuese, përfitojnë tendera e koncesione, bëjnë trafik droge, armësh apo njerëzish dhe mashtrojnë e gënjejnë sa munden. Ata janë modeli i suksesit.

Të palodhurit ulin kokën dhe punojnë ndershmërisht, ndërtojnë përditë Shqipërinë në heshtje, të përcarë dhe pa lavdi.

Ka ardhur koha që kjo të ndryshojë.

Nëse mendon se ke një histori për të treguar apo njeh dikë që ka, na kontakto.

 

Visi

“E kisha të pamundur të vazhdoja shkollën e mesme. Isha 16 vjeç, dola nga shtëpia dhe kuptova që kisha vetëm 2 zgjedhje në jetë, të bëhesha hajdut apo bandit, ose të mësoja një zanat. Rrugë të mesme nuk kisha, familjes s’mund ti kërkoja më asgjë, e kishin të pamundur. Ndoshta ishin këshillat e prindërve që kur isha i vogël, apo respekti për burrat e vjetër zanatçinj, por di të them që atë moment zgjodha të merrja një zanat. Shkova në një gomisteri dhe kërkova të mësoja zanatin dhe të punoja pa më paguar.
Dalëngadalë fitova besimin e pronarit dhe pas 2 muajsh filloi të më paguante. Megjithëse fitoja shumë pak e lodhesha shumë, ndihesha i dobishëm. Dy vite më pas shkova në një gomisteri tjetër, aty më paguanin më mirë dhe ndihesha më i vlerësuar. Mësova ta doja me gjithë zemër zanatin dhe i vura synim vetes të hapja gomisterinë time. Para pesë viteve ia dola, kam gomisterinë time dhe kam mundësi tu mësoj zanatin të tjerëve.
Falenderoj gjithmonë prindërit për këshillat, falë tyre zgjodha të kem një jetë të ndershme Ndershmëria paguhet më pak, por vlerësohet shumë më shumë. E unë preferoj më mirë të jem i thjeshtë e me kokën lart se sa i larë në flori e me kokën pas.”
23244320_676809115861593_1240143068260033477_n (1).jpg

 

Arturi

“Ishte një e martë e ftohtë dimri. E mbaj mend si tani. Lyenim një dyqan të vogël në Athinë kur befas vjen policia dhe na kërkon dokumentat. Si shumë të rinj në atë kohë merrnim rrugën e malit dhe shkonim në Greqi për një të ardhme më të mirë. Nuk e mbaj mend sa eca për të shkuar por më kujtohet cdo detaj kur më kthyen. Kur mbërrita, të paktën e kisha një zanat, ndoshta nuk është zanati më i mirë në botë po pa bukë nuk më lë. Shumëkush këtu në Shqipëri nuk e vlerëson zanatin, nuk e vlerëson ndershmërinë, madje herë herë dhe e përçmojnë. Respektojnë trafikantët, hajdutët, kriminelët. Jo ne që lyejmë me bojë të bardhë apo jeshile, por ata që mbushin rininë me pluhur të bardhë dhe barin jeshil. Por, mua të parët më kanë mësuar që më mirë të bëj duart pis me punë të pastër, sesa të mbaj duart e pastra me punë të pista. Arturi jam, jetoj me nder e nuk kam për turp.”

23131912_674596556082849_5862677300906301902_n.jpg

 

Spartaku

“U ktheva në Shqipëri me ëndrrën për të shpëtuar një herë e mirë nga “alvanos”-i që më përndiqte çdo ditë. Nuk është e lehtë të jetosh në vend të huaj. Çdo ditë është një provë e fortë karakteri ku të duhet të shkëmbesh copëza integriteti për copëza mbijetese. Dhe fillon që nga ndërrimi i emrit, por nuk mbaron aty, jua siguroj…
Gjithsesi mua nuk më eci keq. Pas 15 viteve në Greqi kishim biznesin tonë familjar. Punoja me motrat e mia, fillimisht hapëm një rrobaqepsi e më pas riparime tapicerie. Por nuk kënaqesha plotësisht, sepse njeriu është qënie komplekse. Vetëm lekët nuk mjaftojnë.
Mendoja për më të mirën. Biznesin e atjeshëm ta kisha në vendin tim. Ky mendim më bindi që para 5 viteve të kthehesha këtu e të merrem me këtë zanat, me plan që më pas të vinte dhe pjesa tjetër e familjarëve këtu. U betova që nuk do të ikja më në kurbet.
Por nuk më doli ajo që mendoja. Shqipëria është një vend i vështirë, që ngadalë po kthehet në i pamundur. Kur mendoj se mund të shkel betimin që i dhashë vetes kur u ktheva, më mbushen sytë me lot. Por nuk kam çfarë të bëj. Më duhet ta shkel, tani jo më për vete, për fëmijët. S’e imagjinoj dot t’i le fëmijët të heqin këto që po heq unë. Jam prindi i tyre.”

23120109_675036789372159_1545379938637114966_o.jpg

 

Nekiu

 

“Duart e pista ta zbardhin faqen e ta skuqin zemrën. Sado të rrotullohet keq shoqëria, këtu do vijë, të puna me nder e djersë. Këtë mësova për 40 vjet në zanat, këtë dua ti mësoj edhe tim biri. Mbaji duart pis nga puna e ndershme dhe do e kesh kokën lart.”

23376368_675987822610389_4489998061295082219_n.jpg

Zenuni

“Kisha veshur një palë çizme që fusninin ujë nga të katër anët, pastroja një kanal kullues në kooperativë, ndërkohë që binte dhe një shi imët. Shi nga lart e shi nga poshtë, por unë vazhdoja. Isha shumë i ri por e mbaj mend si sot, e kisha të pamundur të vazhdoja, por duhej të kapja normën patjetër ndryshe nuk merrja ditën e punës. Mes vuajtjeve të përditshme herë si pulë i lagur nga shiu e herë si zhabë i zhuritur nga vapa, herë i ngrënë e herë pa ngrënë si me shaka ikën 32 vite aty. Ikën pa kuptuar. Pastaj na erdhi kjo, demokracia, e unë pasi mbusha 60 vjeç dola në pension.
Sot 20 vite pasi kam dalë në pension marr gjithë gjithë 60 mijë lek të vjetra që nuk më dalin as për ato të flamosura ilaçe. Nuk gjej përgjigje pse një jetë e tërë në punë të ndershme vlerësohet kaq pak???
Kë nuk kam pyetur, por skam marrë një përgjigje të saktë. Jo sistemi, jo rigoni por ndërkohë shoh në televizor gjyqtarë, si ky sot, të cilët kanë nga 300 milion lekë në shtëpi, apo politikanë me makina e vila shumë të shtrenjta. Këta shumica ska punuar asnjë ditë në jetën e vet. E kur them punë, ta kam llafin te puna që të të dhembë edhe muskuli i gojës në darkë nga shtrëngimi, jo si puna e këtyre që maksimumi ju dhembin të ndenjurat nga kolltuku. Ashtu, tani unë nuk kam shkollë por kaq llogari di ta bëj, jam i bindur që pasuritë e mëdha këta nuk i kanë as me lekët e rrogës e as me pensionin e prindërve, por i kanë me djersën tonë. Unë nuk e dija atëherë por kur punoja në kanal me cizmet që më fusnin ujë nga të katërta anët, nuk punoja për vete por për këta.
Mos përsërisni gabimet tona o rini!”

23472088_677676485774856_232714298730237319_n.jpg

 

 

Advertisements

Leave a Reply