5 arsye pse Teatrit Kombëtar i duhet vënë kazma një orë e më parë.

No comments

Nga Endri Shabani

Nëse mendon se çështja e teatrit është e dorës se dytë, dhe mbahet sa për të hequr vëmëndjen nga hallet reale të vendit. Nëse mendon se ky është muhabet mes artistësh; ca nostalgjikë të lajthitur dhe ca të rinj që duan ndryshimin. Apo nëse mendon se ky është muhabet I stisur nga PD-ja sa për tu kapur pas një kauze. E për pasojë, ti as që duhet t’ia vesh veshin se çfarë ndodh. Mos lëviz se je fiks aty ku pushteti do të donte që ti të ishe.
E që të kuptohemi. Kur them pushteti nuk e kam fjalën për kryeministrinë apo bashkinë, se ti e di më mirë se unë që këtu nuk ka institucione. E kam fjalën për Edi Ramën dhe Erion Velinën. Ky pushtet pra I është vërsulur Teatrit Kombëtar dhe ka të paktën pesë arsye madhore për ta bërë këtë.

Së pari Teatri duhet rrafshuar se pushteti shkon e vjen, paraja mbetet.
Si në çdo vit elektoral, pushtetit i është hapur oreksi për të gllabëruar pronën publike duke e kaluar atë në dorën e privatit. Për këtë arsye kryetari i bashkisë ka sajuar një problem artificial, se medemek atij zemra ia kërkon një teatër të ri, por xhepi nuk ia mban. Kështuqë e vetmja zgjidhje mbetet t’i falim privatit një territor që është pronë e qytetit, dhe ai të na e shpërblejë të mirën me një teatër të ri fringo.
Me një fjalë, kryetari na thotë se Bashkisë e Tiranës, e cila mbledh rreth 70 milion Euro taksa në vit, dhe plus kësaj bën 45 milion Euro të ardhura nga veprimtaria ekonomike, medemek nuk paska 5 apo 10 milion Euro për një teatër. Dhe jo vetëm kaq, por as Qeveria kampion e filantropisë për artin, që thuhet se dhuroi 500 mijë Euro vetëm për një episode të bienales së Venecias, medemek nuk ia mbankërka xhepi një teatër kombëtar.
E kur kampioni që nuk la prind dhe fëmijë pa iu mbledhur donacione për të mbjellur fidanë, na thotë se nuk arrin dot të mbledhë qoftë edhe me donacione në Shqipëri apo diasporë para për të ndërtuar teatrin, ti e kupton se halli i pushtetit është I madh.
Dhe nuk kanë faj. Nga njëra anë, fushata e vitit tjetër do kushtojë, dhe paratë e buxhetit të shtetit nuk dalin as për Sandrin, jo më për të blërë votat. Kështuqë ose mbjell kulla në pushtet, që të korrësh donacione në fushatë, ose mbetesh me gisht në gojë. Nga ana tjetër, pushtetit nuk I dihet. Herët ose vonë duhet dorëzuar zyra e shtetit. Kurse përvetësimi i pronës publike mbetet përgjithmonë. Kështuqë ke mundësi që edhe brezat që vijnë t’ja shohin hajrin pushtetit.

Së dyti, Teatri duhet prishur sepse duhet dorovitur drejtësia e re
Reforma në drejtësi ka vënë shumë gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar në siklet, duke iu rrezikuar edhe vendin e punës. Kështuqë ata e dinë se në kohëra tektonike mbijeton më I shkathti, dhe më I shkathti është ai që ka lidhje me pushtetin. Se siç thotë populli “I yti mishin ta ha, por kockën ta ruan”.
Në të njëjtën kohë pushtetarët bëjnë edhe zullume. Kështuqë një mik I mirë në prokurori të nxjerrë faqebardhë, pavarësisht se sa fëmijë vdesin prej korrupsionit tënd. Por miqtë e mirë duhen shpërblyer, se në kohën e sotme gjithçka ka një cmim, dhe pafajësia kushton sa frëngu pulën.
Për pasojë, mbase nuk është rastësi që tokën ia falim një ndërtuesi që vjen nga fusha e betejave për drejtësi. E nëse vërtet është nga e njëjta fushë ku grumbullohen mbetjet, fshihen kufomat, dhe riciklohen matrapazët politik, fitore për të gjithë.
Së treti, Teatri duhet shkërmoqur për të ngritur mbi të kultin e individit
Për fat ne kemi një kryeministër me ambicje artistike, I cili e ka kthyer një të tretën e kryeministrisë në galeri arti. Ndërkohë që ka lënë të rrënohet Galeria Kombëtare e Arteve dhe ka lënë në mëshirë të fatit Akademinë e Arteve, ku përgatiten artistët e rinj. Por në fund të fundit çna duhen institucionet apo artistët e rinj, kur ne kemi fatin të kemi individin që është eksporti më I madh shqiptar në Botë?
Ky gjeni arti i ka krijuar vetes mundësi të imponojë në hapësirën e përbashkët publike shijet dhe preferencat e tij artistike. Ai, I vetëm, vendos se cfarë forme do kenë teatrot, stadiumet, qendrat e qyteteve, rrugët dhe pemët, ngjyrat e pallateve, madje edhe brekushet e kombëtares. Ai është e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja e historisë së këtij kombi. Çdo gjë vdes apo krijohet nga dora e tij. Godina të reja lindin prej dorës së tij. Objekte antike zhduken me një firmë të tij.
Vetëm ai e ka vizionin për të shembur Teatrin kombëtar, meqë e kanë ndërtuar fashistët, por restauron dhe “kthen në identitet” godinat e bashkisë dhe ministrive që i ka ndërtuar po i njëjti arkitekt, në po të njëjtën kohë.

Së katërti, Teatri duhet shembur se identiteti kombëtar nuk vlen një lek
Ashtu si identiteti i njeriut formësohet nga kujtimet, edhe identiteti kombëtar formësohet nga historia e kombit, e cila ruhet edhe përmes objekteve. Jo më kot perandoritë pushtuese shpesh ia nisin nga prishja e objekteve të kultit, për të shfarosur memorien historike të kombeve, duke I kthyer ata në një tufë njerëzish me të cilët mund të ndërtosh ç’të duash.
Megjithatë mos mendo se jam aq patetik sa të mendoj se pushtetin e ha meraku që të shfarosë identitetin kombëtar. Ai është shumë i zënë me bërjen e parave dhe akumulimin e pushtetit, për tu marrë me gjëra kaq abstrakte sa identiteti. Kështuqë, kjo sjellje më shumë I ngjan liderëve mesjetar, të cilët 15 shekuj më parë kishin prakticitetin të prishnin tempujt antik dhe të përdornin gurët për të ndërtuar objekte të reja.
Kjo shpjegon edhe mënyrën barbare se si po sillen me rrënojat e Dyrrahut antik, ku një strehë betoni merr më shumë vlerë se historia mijëra vjeçare e këtij kombi. Apo se si kanë masakruar Tiranën e vjetër, duke e kthyer në të vetmin qytet në ish bllokun lindor, lërë pastaj në Perëndim, pa një zonë të qytetit të vjetër. E për ironi të fatit, ishte pikërisht Rilindja Evropiane periudha kur drejtuesit filluan të ndërgjegjësohen për identitetin kombëtar, çka solli interesim për objektet historike dhe zhvillimin e arkeologjisë.
Së fundmi, teatrit i duhet vënë kazma për të mos lënë asnjë fije shprese
Pushteti e hëngri një herë sapunin për djathë duke u tërhequr nga armët kimike, e duke e bërë popullin të besojë se po të mobilizohet mund ta zbythë pushtetin. Por hej, vetëm gomari bie dy herë në të njëjtën gropë.
Kështuqë, edhe këtë herë pushteti ka vënë në punë mekanizmat e zakonshëm. Duke nisur me manipulimin e temës së debatit. Pra debati medemek nuk qenka pse I duhet faluar një privati toka publike në mes të Tiranës, por qenka a duhet izoluar çatia e Teatrit. Njësoj si debati liqenit që medemek nuk ishte përse të mos ndërtohej parku i lodrave në zonën përba llë liqenit (ku priten palate), duke ruajtur kështu parkun e liqenit, por me një fjalë na paska qënë pse bashkia guxon t’i ndërtojë park fëmijëve.
Manipulimi vazhdon me lëshimin e zagarëve në qytet, që t’i vërsulen kujdo që mban era njeri. Dhe jashtqisin nëpër mediat publike, herë me kockë në gojë, dhe herë në ndjekje të saj. E nuk është e vështirë të gjesh zagarë të uritur, kur e ke lënë popullin, përfshi edhe artistët, në atë pikë të hallit sa të mos përballojnë dot as çmimin e lirisë dhe dinjitetit. Kështu njerëzit, gjysëm të dekurajuar, gjysëm të tradhëtuar fillojnë dalëngadalë të heqin dorë nga jeta publike, dhe të humbasin përfundimisht shpresën tek protesta apo rezistenca.
Në fund pushteti, I vë zullumit të vet një fjongo nga këto çmimet ndërplanetare, që të vërtetojë katërcipërisht se kryeministri është një gjeni që ndriçon aq fort sa vetëm nga përtej detit mund të arrish tia dallosh dritën e arsyes. Dhe nuk e ka keq.
Ndaj sic të thash në fillim, pushteti ka kaq shumë arsye të forta për ta shembur teatrin sa duhet t’ja mirekuptojme hallin, dhe ta lëmë rehat. Mbase hallet e tij nuk janë si hallet e tua të përditshme, por janë halle tipike të diktatorëve që po instalohen në ish bllokun lindor, duke përdorur tullat e regjimeve shtypëse të shekullit te shkuar. Ndërkohë ne bëjmë mirë të zëmë mend, e të mos ngatërrohemi me gjëra që nuk na takojnë, pasi i di Qeverria këto punë.

Advertisements

Leave a Reply