27 vite më pas…

No comments

Nga Arben Vataj

(Foto ilustruese nga Gani Xhengo)

Ne kemi nevojë të rrëzojmë bustin brenda vetes e të ngremë altarin e nderit, ku të gjunjëzohemi dhe të besojmë

Prej sot, 27 vite të shkuara, më 20 shkurt të vitit 1991 u rrëzua nën peshën e urrejtjes, shtatorja prej bronxi e diktatorit, Enver Hoxha. U desht me besu se njiherash me te, shtrim përdhe tançka kishte ngërthye ndër ne magmën e një pezmi dhe pakënaqësie që zente rrapëllishëm brenda nesh. U desht me e ushqy me shpresë dhe bindje, se, njasaj dite e këndej, na kishte mbet me u nda me t’shkumen. Zjarmi i zemëratës dhe përpushja në delirin e fitores, përcëllun e dogjën tançka ishte mëku me njaq shumë andrra e bekim vuajtjeje.

Duhet të iknin kaq vite, sa ne të kuptonim se sa shumë peshë kishte brenda ndërgjegjes sonë ajo statujë dhe sa e pavlerë ishte e gjitha ajo përpjekje, gjithë ajo shpresë, gjithë ai besim. Atëditë e sot lëshon mbi ne hije dhe lyp blatimet e një perëndie, ajo fantazëm. Dhe ne çdo ditë e joshim me flijime dhe yshtim me nënshtrim mitin e atij përbindëshi që, më shumë se zuri vend në shesh, ai gllabëroi në dinjitetin tonë, vrau ëndrrat dhe theu çdo krah fluturimi, duke na lejuar të zvarritemi në fatin tonë hekakeq.

Rrëzuam një bust, atë 20 shkurt të vitit 1991, por lejuam që të hidhnin shtat brenda nesh qindra buste, shtatore, torse e obelisqe deliri dhe paranoje udhëheqësish, të cilët ngado shkojnë e marrin dhe e ngulin si gozhdë në çdo ngulm dhe shkulm që guxon krye të ngre.

Ata i lejuam të merrnin në duar fatin tonë, dhe tash nuk guxojmë t’u kërkojmë të na i kthejnë as eshtrat e betejave të humbura, luftërave pa lavdi e zemëratave të të shuara me pështymë e përçmim.

Unë nuk isha atë ditë, atu ku një mal bronxi i shkulej kryeqytetit, por nuk mungova në asnjë dritë me vullnetin tem të lirë, i cili mu fik para syve, e mu, nëpër terr, po më duhet me u pa me vetëdijen teme.

Pas 27 viteve rrezellim shkundullitës, në vetëdijen e të gjithëve, rrëzimi i një busti, rreket si pamjaftueshmëri n’tançka; në shpërbërjen e diktaturës, në kthim e besimit te liria dhe demokracia, tek meritimi i tyre.

Gabuam kur hamendem se diktaturat ndernin pushtetin e tyre të mizortë, vetëm mbi disa masiv të metaltë, e do fantazma përfytyruese. Gabuam dhe e pësuam.

Sot ata që dje ishin zemra e zemëratës antikomuniste, janë plaga lënguese e një pendese, pendese për atë që ata bënë, pendese për atë që ata dot nuk e përfunduan. Ajo që sot pas 27 vitesh qaset të ziej në shpresëhumbjen e secilit, zemëratë dhe helm pakënaqësie, nuk ka shumë ndrushim nga ajo që kalli zemëratën studentore, kulmimi i së cilës u derdh tek ajo shtatore, tek ai bust, tek ai masiv bronzi, tekaty ku diktatura në agoni mëtonte të mbronte me hekur e hekamë bastionin e fundit.

Ata njerëz që kanë mbajnë mbi supe peshën e një shtatoreje të shtrirë përdhe, 27 vite të shkuara, sot janë zemërata pa grykderdhje, gulç padurimi që grryen dhe drobit vullnetin e tyre. Ai ishte një zhgënjim që sodit memuarin e humnerës që e ndan kujtimin e asaj dite me dëshirimin, ëndrrën që i’u fik bashkë me zërat dhe delirin e asaj dite.

Prej gjithkah asht bujt në kujtesën e kësaj dite pakënaqësia dhe zhgenjimi, frika për të sotmen dhe pasiguria për të nesërmen. Por ajo s’duket gjëkundi. Nuk do ta gjeni edhe nëse ndonjë dyzinë njerëz gërthasin në emër të ndonjë kauze në ndonjë shesh të kryeqytetit, teksa zhagit banderolat e një manifesti delenxhinjsh.

Kush nuk gaboi e dot rrugën e pendesës nuk e gjeti derimtash, derimsot.

Çfarë fituan triumfatorët kësisoj.

Liria e fjalës iu dha me pash, e dëgjesa s’kishte mbamednje ndonjëherë për zërat dhe ankimet që çirren e jargaviten gjithkah ku bujn tue kuvendu për dertet. Plebeu u bë zotërues i fateve dhe shkrues i historisë. U shemb para kandës së njimendtë dhe dëshirimit virtyti, si filozofi e së mirës, si atribut e ardhmërisë. Shqiptarë që ndërtojnë progresin e të tjerëve për një kafshatë bukë, e endin përplot trishtim panoramën e apoteozës së mbijetesës dhe bashkëfajësisë. Vasha që shësin trup e nder për një ëndërr, për një të drejtë legjitime që duhet ta paguajnë me çmimin e pendesës, shpagës që nuk do t’i shëlbejë dot as trupin as shpirtin. Etër e ëma që dergjen në rojtar të truallikjes, e të varreve të të parëve, me shpresën nga vdekja si e mbrama vuajtje. Shtëpi të braktisura dhe fshtra fantazëm, që i shkoqen shtatit jetësues, për ti mbetun vetëm kashore oreksesh politike.

Ja ç’fituan!

E lëshuam Shqipërinë dhe po e bëjmë pareshtur, me amanetin e palexuem nën jastëk, “guri i rand peshon në vendin e vet”. Ikëm. U dyndëm në turmë ikanakësh të dëbuar, u kthyem në një kortezh t’përmorshëm pamundësije për ta patur varrin ku djepin. Morëm me vete ëndrrat dhe plagët, për tu ktheyr më zhgënjimin. Ndër ata që mend erdhën, nuk i ndajnë sytë prej ikjes, ikjes nëpër natë.

Ne që mbetëm, e torbat si hodhëm askush mbi kurriz, mbretëm tançka na u shndërrua në plagë, në dhimbë kockash dhe zemre. Zanin ia qorrëm zemërimit, e t’paluem mbetëm tuj prit me sot me nesër, një fat të tjetërqyshtë nga ai i dëshiruari.

Mëkatarë dhe xhelat që si sëmboi kurrë njenja e fajit dhe kurrë se gjetën shpagën e pendesës. U yshtëm turravrap nëpër llogoret politike, me lugët në brez dhe lamë peng gjithçka kishim virtyt e përkorje.

Nga rrënjët e shkulëm rrapin shekullor të traditës e nderëm rreshnat e këtij visari të paçmuem në telin e pelenave të ndryshesave dhe trendeve. Ditirambe thurim pëlqesave dhe ekstazës së keqe, pa u vramend se kjo melodi asht simfoni e marshit funebër të vlerave në ndërkohjet e tyne.

Kufinjt i shembëm e lirinë e kyçëm në strofkën e t’pamundunes për me u ndi zog në qiellin e tij. Dritare dijeje hapëm katër kanatësh e veç dritë nuk hyn në këto shërbestore dijenxenie të dënguna me kapicë prej një rinie hileqare, një mase vitale që i bën bisht përballjes, ndeshjes, e një morie që prej triumfit druhet si djalli prej temianit.

Instaluem një drejtësi që të mjaftueshëm ka ngritjen e kultit të padrejtësisë dhe ikjes së pamundun prej proverbit që e përndjek se: “Drejtësia është si pezhishka e merimangës, ku insektet e vogla mbesin në të, të mëdhatë e çajnë dhe ikin”. Krimi, krimi që ka kumbar shtetin dhe pushtetin e kandarit të anuar, bën ligjin duke e gropos më thellë mundësinë për të shpresuar në atë që dëshiruam, në atë për të cilën u sakrifikua shtrenjtë. U zhbë gjithçka bashkë me besimin. Zotin e lejuam me mosbindje, duke e lënë veten trup e shpirtë në krahët e mëkatit e pangopjes. Kësisoj familjen e nxorëm mes katër rrugëve, tuj fabriku bashkëshorte hekakeqe e baballarë që err e terr ngrysin ankimoreve në pantomimën absurde para gotës së alkoolit. Fëmijë që dalin duersh për të hyrë në hordhinë e hallakamës së moshatarëve që porsi hijenat ngasin pas coftinës së ndonjë gostie luanësh.

Të gjithdishëm katapultuem në fronin e urtisë e dokrra na duhet me ndi e pallavra me duru. Si një kullë e ngujueme asht transformu shërbestorja e opinionit publik, prejku sdel e s’hyn kurrkush, prejnga sprajnë zjarrin e frengjive, jo tuj dasht me ia ms’y dikujt, por me ia mbush mendjen dynjas se po ndeshen. Ne, kurrkush tjetër veç nesh që u shitëm si bagëtia, tue heq dorë prej vullnetit dhe të drejtës me kërku ç’ka na takon, ne mbajmë në gjoks vulën e turpit, ne që e kthyem Shqipërinë në çifligun e një tufe përfituesish dhe shpërdoruesish dhe tarafit të tyre. E knaqena tuj këndu kangën e mjerimit, tue lyp … “Mshirë? Bijë bastardhe e etënve dinakë,/t’cilt n’mnyrë pompoze posi farisejt/i bijnë lodërtinës me ndjejt dhelparak/tu’ ia lëshue lypsiti një grosh të holl’ n’shplakë.

Tash që nuk kemi të tjerë buste për të rrëzuar, na mbetet me e shtri përdhe guximin tonë, e për me besu rrejshëm se një diktaturë mundet me u rrëzu edhe si një bust.

Po. Ne kemi nevojë të rrëzojmë bustin brenda vetes, atë bust që na ka zënë diellin, na ka qorrun sytë, na ka çjerrë vullnetet, bustin e mënjanimit prej të drejtës me kontribu të gjithë, që të ndërtojmë një të sotme, për të cilën nuk do të na vijë turp të themi se ne ishim gurthemelët e saj.

Albert Vataj

Advertisements

Leave a Reply